Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona në komunat Shtime, Lipjan dhe Drenas, pas një operacioni të gjerë të zhvilluar më 16 shtator 2025 në kuadër të luftës kundër trafikimit dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente. Me urdhër të gjyqtarit, janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpi dhe objekte përcjellëse të të dyshuarve.
Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar:
1 AK-47
1 pushkë të gjatë me dylbi
1 pushkë gjuetie
1 revole
116 fishekë të kalibrave të ndryshëm
8 fishekë me gaz
2 pushkë ajrore
5 telefona
Pesë personat e arrestuar, të gjithë meshkuj kosovarë, dyshohen për veprat penale “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje të paautorizuar të armëve apo materieve plasëse” (neni 364 i KPRK-së) dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” (neni 366 i KPRK-së).
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.