Arben Fetai mbrëmë ka mbajtur mbledhje me strukturat partiake, në të cilën munguan disa figura të rëndësishme, ndërsa pas mbledhjes tha se është autorizuar nga partia për të vazhduar negociatat në kuadër të lidershipit të VLEN-it.
Ai gjithashtu tha se u thirr një Kuvend për Themelim, i cili miratoi konceptin “Aleanca e Re”, si hap strategjik drejt shkrirjes në VLEN.
“Ne, si pjesë e Aleancës për Shqiptarët brenda koalicionit VLEN, përfshirë anëtarët e Këshillit Koordinues, koordinatorët e degëve, funksionarët dhe mandatarët e zgjedhur, u mblodhëm sot për të analizuar zhvillimet politike në vend dhe sfidat që kemi përpara. Në fokusin tonë të vazhdueshëm janë pritjet tuaja për të avancuar veprimin tonë politik, me qëllim forcimin dhe konsolidimin e përfaqësimit efektiv të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Kjo nuk është vetëm një nevojë e kohës, por është edhe detyrim moral ndaj qytetarëve që na kanë besuar si VLEN”.
“Për këtë arsye, u thirr një Kuvend për Themelim, i cili miratoi konceptin “Aleanca e Re”, si hap strategjik drejt një VLEN-i më të fuqishëm dhe të unifikuar. Në funksion të riorganizimit dhe forcimit të brendshëm, kemi marrë vendime konkrete dhe me efekt të menjëhershëm: Pezullimi i funksionimit të të gjitha organeve aktuale deri në një vendim të ri; Shpallja e një moratoriumi të përkohshëm në të gjitha aktivitetet partiake; Me shumicë votash, Kuvendi për Themelim më autorizoi që të zhvilloj negociatat e mëtejshme në kuadër të lidershipit të VLEN-it”, tha Fetai.
Ai gjithashtu theksoi se ky proces nuk është fundi i ASH-së, por hap i ardhshëm drejt përfaqësimit të tyre në VLEN.
“Ne jemi kontribuuesit dhe sakrifikuesit më të mëdhenj për krijimin dhe mbajtjen gjallë të VLEN-it, dhe tani po hedhim hapin vendimtar për ta kthyer këtë koalicion në subjekt politik të unifikuar. Qytetarët shqiptarë meritojnë një forcë të bashkuar, transparente dhe efektive, e jo ndarje të reja që i shërbejnë vetëm atyre që duan të ruajnë regjimin e vjetër”, tha Fetai./Telegrafi/

