Ministri i Transformimit Digjital thotë se është planifikuar miratimi i një strategjie kombëtare për zhvillimin e sektorit mediatik dhe në atë drejtim, siç thotë, po shqyrtohen mundësitë për një zgjidhje të re ligjore për mediat, si dhe ligji i parë për AIM-n.
“Unë premtova, këtë vit do të fillojmë me zbatimin. Për herë të parë do të miratojmë një strategji kombëtare për zhvillimin e sektorit mediatik. Këtu janë edhe dilemat që na i paraqet MIA – Agjencia Informative Mediatike, Radiotelevizioni i Maqedonisë, ju si media, mediat e tjera, portalet onlajn, krijuesit e përmbajtjeve, gazetarët. I gjithë ky spektër për fat të keq gjithmonë lihej të zgjidhej kur shpërthente ndonjë zjarr. Përmes strategjisë do të përcaktojmë se cilat ligje duhet të ndryshohen, nëse nevojitet një ligj i ri për mediat, nëse nevojitet një ligj i ri, për herë të parë një ligj për AIM-n, një ligj për RTMV-në, nuk e di, ndoshta do të dalin disa zgjidhje më të zgjuara, por unë jam këtu për të dëgjuar dhe udhëhequr këtë proces pavarësisht se sa kohë duhet, le të zgjasë një vit, ditë ose dy vjet, të miratojmë një tekst të mirë dhe të jemi të kënaqur me atë që po na ndodh në sferën mediatike, tha Andonovski në intervistë për emisionin “Pro ose Kundër”.
Ai shtoi se tani, për herë të parë, shteti do të marrë shkopin dhe, siç theksoi ai, do t’i negociojë vetë marrëdhëniet e ndërsjella me të gjitha palët e interesuara.
“Unë thashë që ndoshta nuk do ta miratojmë strategjinë nëse nuk arrijmë të harmonizohemi. Në asnjë moment nuk do të hyj në përkeqësimin e situatës në sektorin e medias. Ne kemi një themel shumë të fortë, mediat këtu janë shumë të përgjegjshme, e bëjnë punën e tyre shumë mirë. Kjo shihet më shumë në kriza, dhe shihet edhe në këtë krizë tani. Nuk keni komente të pahijshme, nuk keni mungesë transparence në media, nuk keni qëndrim të keq të medias ndaj askujt, opozitës, qeverisë, sektorit privat, organizatave joqeveritare. Diçka që e shohim si një tendencë të keqe në të gjithë rajonin, mendoj se funksionon shumë mirë në vendin tonë. Dhe detyra ime do të jetë se si ta ngre këtë në një nivel edhe më të lartë”, thotë Ministri i Transformimit Digjital.
Ai shpjegon se të menduarit rreth strategjisë së re kombëtare për zhvillimin e sektorit mediatik është nxitur edhe nga zhvillimi i llojeve të reja të mediave, si dhe krijuesve të përmbajtjeve digjitale.
“Ndoshta ekziston, do të thoja, keqkomunikim midis përfaqësuesve të Qeverisë, përfaqësuesve të institucioneve të tjera, krijuesve të përmbajtjeve digjitale, platformave, dhe është bërë një lëshim, sipas mendimit tim, në Ligjin për Përmbajtje Mediatike Audiovizuale ku nuk është përcaktuar konkretisht se çfarë nënkuptojmë me një krijues të përmbajtjes digjitale, a është diçka e ngjashme me Jutjub, a do ta trajtojmë sikur të ishte një platformë, a do ta trajtojmë sikur të ishte një gazetar, një kolumnist apo do ta trajtojmë si diçka krejtësisht të ndryshme, një dimension krejtësisht të tretë apo të katërt. Ne kemi bërë një analizë të plotë të asaj që është legjislacioni krahasues. Bashkimi Evropian ka korniza më të lirshme. Nuk ka rregullore të rrepta këtu. Dhe nuk doja ta vendosja veten në një situatë ku shkojmë dhe mbyllim sektorë të caktuar ose i shtypim aq shumë sa të mos mund të zhvillohen në të ardhmen. E dini, po flasim për të rinj që kanë vendosur të jetojnë jetën e tyre këtu, të krijojnë diçka këtu, të jenë sipërmarrës, të punojnë vetë, të përdorin platforma që janë ndërkombëtare”, tha Andonovski.
Sipas tij, janë përhapur disa informacione të pakëndshme se ata po fshehin taksat, se nuk po paguajnë taksa etj., të cilat, siç thotë, janë lehtësisht të verifikueshme nga DAP.
“Nëse keni kontratë në vepër ose kontratë autori, sigurisht që paguani taksa. Mendoj se kjo është një narrativë e dëmshme që po zhvillohet midis institucioneve dhe detyra ime e parë ishte të nisja diskutimin në nivelin e argumenteve ligjore, çështjeve ligjore dhe si ta inkurajoja këtë sektor të rregullohej, të njihej në ligj, dhe pastaj të shihnim se cilët elemente janë sfidues për ne ose për të cilët nuk mund të biem dakord”, theksoi Andonovski.

