Si pjesë e vizitës së tij të punës në Zagreb të Kroacisë, Ministri i Transformimit Dixhital, Stefan Andonovski, u takua me Ministrin e Drejtësisë, Administratës Publike dhe Transformimit Dixhital të Republikës së Kroacisë, Damir Habijan, ku diskutuan për promovimin e bashkëpunimit në fushën e transformimit dixhital, modernizimin e shërbimeve publike dhe forcimin e infrastrukturës dixhitale, njoftojnë nga Ministra e Transformimit Dixhital në RMV.
Nga Ministri i Transformimit Dixhital thonë se në takim u theksua se infrastruktura e fortë, ndërveprimi midis institucioneve dhe shkëmbimi i sigurt i të dhënave janë çelësi i transformimit efikas dixhital të sektorit publik.
“Theks i veçantë u vu në përvojat kroate në dixhitalizimin e punës arkivore, arkivat elektronike dhe sistemet e menaxhimit të dokumenteve — DMS. Ministri Andonovski theksoi se përvoja të tilla janë veçanërisht të rëndësishme për proceset që Ministria e Transformimit Dixhital po zbaton me qëllim krijimin e një administrate publike më efikase, transparente dhe të mbështetur dixhitalisht.
Përvoja e pasur e Kroacisë në dixhitalizimin e proceseve në administratën publike dhe gjyqësorin është me rëndësi të jashtëzakonshme për procesin e vendit të transformimit dixhital.
Në takim u diskutua gjithashtu mundësia e organizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të ekspertëve midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e punës arkivore dhe menaxhimit elektronik të dokumenteve. Njëkohësisht, u hap edhe mundësia e bashkëpunimit të përbashkët përmes projekteve të binjakëzimit dhe mekanizmave evropianë për mbështetjen e transformimit dixhital”, thuhet në njoftim./Telegrafi/

