
Drejtori i Institutit për Transfuziologji Amir Elezi, është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” me të cilin kemi diskutuar për dhurimin e gjakut, Spitalin e Tetovës dhe shëndetësinë në përgjithësi.
Elezi foli për periudhën sa ishte drejtor i Spitalit të Tetovës, ndërsa tha nuk ka qenë periudhë e gjatë, por e cilësoi si të rëndësishme. Ndërsa momentalisht ai drejton Institutin për Mjekësi të Transfuzionit të Gjakut, duke e sqaruar mënyrën se si funksionojnë si institucion.
– YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: …
“Instituti për Mjekësi të Transfuzionit të Gjakut ka një lloj pavarësie sa i përket funksionimit tonë, por ne jemi në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi është obligim ligjor që ata të përkujdesen për institucionet shëndetësore. Jemi të pavarur sa i përket spitaleve, por bashkëpunojmë me spitale, pasi ata kanë nevojë, sidomos kur bëhen ndërhyrje kirurgjike”, tha Elezi.
Sa i përket gatishmërisë së tyre për situata të jashtëzakonshme, Elezi tha se Instituti disponon me sasi të mjaftueshme të gjakut.
“Ne jemi të përgatitur për çfarëdo lloj situate, pasi disponojmë me sasi të mjaftueshme të çdo lloj të gjakut dhe produkteve të gjakut. Eritrocitet ruhen deri 35 ditë, plazma e gjakut ruhet 1 deri 3 vite, ndërsa trombocitet ruhen deri 5 ditë. Ne disponojmë me sasi të mjaftueshme për pacientët që kanë nevojë. Për situata të jashtëzakonshme ne kemi marrë hapa paraprak. Me iniciativën time kemi përgatitur procedurë në rast se ndodhin fatkeqësi ose situata të jashtëzakonshme, që të jemi të përgatitur për këto situata. Këtë draft-dokument e kemi paraqitur tek MPB dhe Drejtoria për Mbrojtje për Shpëtim, të cilët duhet ta dijnë se si të veprohet në raste të tilla. Situata e Koçanit ishte një situatë e rëndë, ndërsa institucioni ynë ishte i gatshëm për t’u përballur me këtë situatë”, tha Elezi.
Ai gjithashtu tha se në Maqedoni qytetarët kanë kulturë të dhurimit të gjakut, ndërsa këtë vit qëllim i Institutit është që të arrijnë deri në 60 mijë dhurues.
“Dua t’i përgëzoj dhe falënderoj qytetarët që dhurojnë gjak vullnetarisht. Në vitet që menaxhoj unë, vit pas viti rritet numri i dhuruesve. Këtë vit kemi caktuar numrin që të arrijmë deri në 60 mijë dhurues të gjakut. Ka kulturë të dhurimit të gjakut”.
“Fillimisht duhet të jetë i moshës madhore dhe më pas duhet të jetë i shëndetshëm, të kenë dëshirë dhe vullnet të ndihmojnë pacientët. Më pas ka një pyetësor të cilin duhet ta mbushin dhuruesit dhe bëhet një ekzanimim nga ana e mjekut ku kontrollohet pacienti për nivelin e hemoglobinës, pasi anemikët nuk janë kandidatë për të dhuruar gjak. Nëse këto procedura janë në rregull, vazhdohet me dhurimin e gjakut, i cili është procedurë pa dhimbje”, tha Elezi, duke sqaruar procedurat se si dhurohet gjak.
Ai përmendi edhe dobitë që kanë dhuruesit e gjakut.
“Përparësitë e dhuruesve të gjakut janë të shumta, duke nisur nga sistemi kardiovaskular, ku hulumtimet tregojnë se 12% e dhuruesve të gjakut janë më pak të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare. Gjithashtu ndikon në aspektin psikologjik, duke ditur se ndihmohen pacientë të sëmurë”, tha Elezi./Telegrafi/




