Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ua uroi 7 Prillin – Ditën Botërore të Shëndetit të gjithë punonjësve shëndetësorë, në shënimin tradicional solemn të sotëm, në organizim të Shoqatës Mjekësore të Maqedonisë.

Ai tha se motoja e këtij viti “Shkenca e bën kujdesin shëndetësor më të qasshëm” flet qartë se qasja shkencore në shëndetësi paraqet një shtytës kyç të inovacioneve, përparimit dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Zbatimi i shkencës mundëson futjen e metodave të reja, zhvillim të vazhdueshëm të aftësive profesionale dhe një qasje bashkëkohore në trajtimin e pacientëve. Në periudhën e kaluar kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara në zhvillimin e mjekësisë transplantologjike në vend, me fillimin e suksesshëm të transplantimit të kornesë. Ky segment paraqet shembull të shkencës në funksion të shëndetësisë, si dhe të një qasjeje multidisiplinare dhe përkushtimi të lartë të punonjësve shëndetësorë. Transplantimi dhe dhurimi i organeve, si akti më i lartë i humanizmit, shpëtojnë jetë dhe e zgjasin jetën e pacientëve”, theksoi në fjalimin e tij ministri Aliu.

Në drejtim të përmirësimit të qasjes në shërbimet shëndetësore, ai theksoi se një nga prioritetet është futja e telemjekësisë si një shërbim shëndetësor i njohur. Në kuadër të ndryshimeve ligjore, dosja elektronike shëndetësore do të përfaqësojë burimin qendror të të dhënave. Me sukses është realizuar projekti pilot në relacionin Shkup–Dibër–Dellçevë, përmes të cilit pacientët me sëmundje të lëkurës marrin diagnozë pa praninë fizike në Klinikën e Dermatovenerologjisë.

“Telemjekësia çon drejt një shëndetësie që kursen kohë, ul kostot, zvogëlon pabarazitë dhe e afron ekspertizën në çdo vendbanim. Kjo është ‘healthcare without walls’, përkatësisht shëndetësi pa barriera fizike dhe gjeografike”, tha ministri Aliu.

Ai rikujtoi se po punohet në mënyrë aktive për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Shëndetësi Digjitale, e cila do ta vendosë vendin krah për krah me modelet më të avancuara evropiane.

“Flasim për një sistem shëndetësor të bazuar në interoperabilitet (komunikim ndërmjet sistemeve), standardet ndërkombëtare HL7 FHIR për shkëmbimin e të dhënave shëndetësore, hulumtim të çdo vendimi, role-based access (qasje sipas roleve dhe autorizimeve), audit trails (gjurmë dhe regjistra digjitalë për kontroll), data governance (menaxhim i të dhënave), lista transparente të pritjes dhe analitikë në kohë reale, përkatësisht të dhëna për menaxhim të shpejtë dhe të saktë”, theksoi ministri Aliu.

Dita Botërore e Shëndetit është një mundësi për të reflektuar mbi rezultatet e arritura dhe reformat aktuale në sistemin shëndetësor, ku potenciali njerëzor mbetet në fokus.

“Jemi krenarë që mjekët, studiuesit dhe ekspertët tanë sot kontribuojnë edhe në nivel ndërkombëtar. Shembulli i dr. Srceva në fushën e sëmundjeve të rralla është dëshmi se Maqedonia nuk është vetëm përdoruese e dijes, por prodhuese e saj. Paralelisht realizojmë investime në infrastrukturë dhe pajisje moderne mjekësore, si dhe aktivitete për vendosjen e procedurave të standardizuara spitalore dhe rrugëve të referimit, me qëllim që pacientët të marrin shërbim shëndetësor në kohë dhe të përshtatshëm. Një konfirmim shtesë i përparimit është raporti më i fundit i Kombeve të Bashkuara për vitin 2025, në të cilin shteti renditet lart në uljen e vdekshmërisë neonatale. Me përpjekje të përbashkëta vazhdojmë ndërtimin e një sistemi shëndetësor më cilësor, më efikas dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët”, theksoi ministri Aliu.

Share.
Exit mobile version