Ministria e Shëndetësisë njofton se të gjithë qytetarët kanë mundësi të raportojnë informacione për parregullsi të mundshme në lidhje me kryerjen e ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare, përmes platformës “Raportoni parregullsi”, e cila është e disponueshme në faqen zyrtare të MSH në këtë link.
“Transparenca në çdo proces është prioriteti jonë, prandaj ndaj çdo raportimi për çfarëdo lloj parregullsie në sistemin shëndetësor ne qasemi me përgjegjësi maksimale dhe veprojmë në përputhje me procedurat ligjore. Pikërisht për këtë arsye, kujtoj se përmes kësaj platforme në faqen e Ministrisë, qytetarët mund të raportojnë edhe informacione për parregullsi të mundshme lidhur me ndërhyrjet kardiologjike. Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e sistemit shëndetësor, ndërsa prioriteti ynë është shëndeti dhe siguria e pacientëve”, theksoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Nga MSH thonë se raportimi është i besueshëm dhe për çdo raportim veprohet në përputhje me procedurat ligjore.
“Kujtojmë se tashmë ka filluar punën komisioni i brendshëm, i përcaktuar për përgatitjen e një analize paraprake të ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare në institucionet shëndetësore të vendit. Gjetjet nga kjo analizë e komisionit të brendshëm do ti dorëzohen shumë shpejt komisionit profesional të përbërë nga ekspertë të huaj”.
“Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë ka dërguar shkresë në institucionet publike shëndetësore që të dorëzojnë të dhëna për numrin e përgjithshëm të procedurave dhe operacioneve të kryera gjatë periudhës janar 2022 – gusht 2025, për procedurat ndërhyrëse kardiologjike, siç janë koronarografitë dhe stentimet, angiografitë vaskulare si dhe operacionet kardiokirurgjikale/vaskulare”, thonë nga MSH.
Aliu: Qytetarët të raportojnë parregullsitë e mundshme në lidhje me ndërhyrjet kardiologjike appeared first on Telegrafi.