Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, mbajti fjalim në ngjarjen e sotme me rastin e avancimit të së drejtës për shëndet për personat me aftësi të kufizuara, e organizuar nga grupi parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, e cila u mbajt në Kuvend.

“Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bazë të ‘Memorandumit të Bashkëpunimit’, janë të përfshira në vendosjen e një sistemi të orientuar drejt familjes për ndërhyrje të hershme në fëmijëri. Shëndetësia është dera e parë ku drejtohen familjet, prandaj është detyrë institucionale që të mos lihet pa u evidentuar asnjë fëmijë që ka vonesa në zhvillim, aftësi të kufizuara apo rrezik – qoftë te pediatri, shërbimi patronazh, logopedi apo profesionistë të tjerë”, theksoi ministri Aliu.

Ai informoi se është në zhvillim trajnimi i ekipeve në institucionet publike shëndetësore në Shkup, ndërsa profesionistë nga Shtëpia e Shëndetit Shkup dhe Qendra për Rehabilitimin e Patologjisë së Komunikimit Verbal kanë përfunduar trajnim të specializuar dhe kanë marrë pjesë në një vizitë studimore, dhe tani po ofrojnë në mënyrë aktive shërbime të orientuara drejt familjes për ndërhyrje të hershme.

“Ministria e Shëndetësisë po krijon kushte për vazhdimin e ofrimit të shërbimeve të orientuara drejt familjes për ndërhyrje të hershme në institucionet pilot dhe do të angazhohet për zbatimin gradual të tyre në të gjithë territorin e vendit. Po punojmë për zhvillimin e sistemit të skriningut universal, i cili do të zbatohet në nivel kombëtar dhe do të jetë i qasshëm për të gjithë fëmijët deri në moshën gjashtë vjeç. Kjo do të thotë se çdo fëmijë do të ketë mundësi për vlerësim të hershëm, pa marrë parasysh se ku jeton dhe kush është prindi i tij. Skriningu universal nënkupton mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët; pra, nuk do të mbështetemi në rastësi apo në faktin nëse prindi do të arrijë të gjejë specialist, por në një ndjekje sistematike dhe të organizuar të zhvillimit”, shtoi ministri Aliu.

Share.
Exit mobile version