
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetarin e Komunës së Koçanit, Vladko Grozdanov, sot vizituan Spitalin e Përgjithshëm me veprimtari të zgjeruar në Koçan, me qëllim të shqyrtimit të gjendjes aktuale dhe nisjes së hapave konkretë për rregullimin e hapësirës përreth spitalit dhe sistemimin e sipërfaqeve të asfaltuara.
“Kur qasja është mirë e menaxhuar dhe mirë e organizuar, rezultatet janë të dukshme. Sot këtu shohim rezultate të dukshme pas 30 vitesh. Qasja dhe infrastruktura në shëndetësi janë pjesë përbërëse e sistemit dhe nuk përfshijnë vetëm pjesën e brendshme, por edhe atë të jashtme. Falënderim për kryetarin e komunës, i cili për një kohë të shkurtër organizoi rregullimin e hapësirës. Ne, si Qeveri dhe si Ministri, po punojmë për rikthimin e besimit në shëndetësinë publike dhe jemi të përkushtuar ndaj tre shtyllave kryesore, ndër të cilat kapacitetet njerëzore dhe ndryshimet infrastrukturore”, tha ministri Aliu.
Ai theksoi se vizita e sotme është vazhdim i kujdesit institucional për Koçanin, ku në fund të nëntorit të vitit të kaluar, gjatë vizitës në këtë rajon, me hapjen e Qendrës Rajonale për Shëndet Mendor dhe Mbështetje Psiko-sociale, u theksua rëndësia e forcimit të shërbimeve shëndetësore, veçanërisht në fushën e mbështetjes psikologjike.
Në periudhën e ardhshme do të bëhet pastrimi i vegjetacionit dhe lirimi i sipërfaqeve në oborrin e spitalit – një hapësirë që nuk është mirëmbajtur siç duhet në periudhën e fundit – me çka do të krijohen vende të reja parkimi. Paralelisht është paraparë edhe çmontimi dhe largimi i spitalit modular, për të krijuar kapacitete shtesë parkimi. Në fazën e ardhshme është planifikuar edhe rinovimi gradual i disa pjesëve të spitalit.





