“Është nder për mua që sot jam me ju dhe që kam mundësinë të drejtohem me rastin e jubileut të rëndësishëm – 80 vjet ekzistencë dhe veprimtari. Tetë dekada punë e përkushtuar, solidaritet dhe kujdes për qytetarët e moshuar, janë dëshmi e rolit tuaj të pazëvendësueshëm në shoqëri. Besoj fuqishëm se kujdesi për pensionistët nuk është vetëm detyrim social, por edhe tregues i pjekurisë dhe humanizmit të një shoqërie. Prandaj, për mua dhe për Ministrinë që drejtoj, kjo temë është prioritet i lartë”, theksoi në fjalimin e tij përshëndetës ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në shënimin e 80-vjetorit të Lidhjes së shoqatave të pensionistëve të Maqedonisë.
Në fjalimin e tij, ministri Aliu u ndal te propozim-ndryshimet e Ligjit për mbrojtje shëndetësore, me të cilat parashihet që pensionistët e moshës 64 deri në 67 vjeç të vazhdojnë të punojnë, nëse ka nevojë, ndërsa specialistët mbi 67 vjeç të vazhdojnë punën deri në moshën 70 vjeç. Me këtë vlerësohen njohuritë, përvoja dhe kontributi i punonjësve shëndetësorë me përvojë shumëvjeçare.
Gjithashtu, përmes programeve të Ministrisë është siguruar edhe trajtim spitalor falas dhe lirimi nga pagesa e pjesëmarrjes për pensionistët me të ardhura më të ulëta, me çka ulet drejtpërdrejt barra financiare dhe mundësohet qasje më e mirë në kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

