Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot në konferencën për shtyp prezantoi projektligjin e ri për barna, si pjesë e reformës më të gjerë në sektorin shëndetësor, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ligji i ri ka për qëllim modernizimin e sistemit të barnave dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane, me fokus në përmirësimin e cilësisë së trajtimit dhe rritjen e sigurisë së pacientëve. Me këtë zgjidhje ligjore parashikohen procedura më të shpejta për miratimin dhe regjistrimin e barnave, shkurtimi i kohës për vënien e tyre në dispozicion, si dhe vendosja e një sistemi për monitorimin e furnizimit dhe parandalimin e mungesave të mundshme.

Gjithashtu, parashikohet vendosja e sistemeve elektronike për gjurmueshmëri dhe analizë të konsumit, si dhe forcimi i kontrollit të cilësisë dhe sigurisë. Ligji avancojnë farmakovigjilencën dhe përmirëson koordinimin ndërmjet institucioneve.

Projektligji parashikon edhe rregulla më të rrepta për provat klinike, si dhe një sistem të ri për menaxhimin e mbetjeve farmaceutike nga amvisëritë.Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë rregullim më të mirë të çmimeve, rritje të aksesit në terapi dhe qëndrueshmëri afatgjatë të sistemit shëndetësor”, thuhet në njoftim.

Nga atje shtojnë se Projektligji do të jetë i disponueshëm në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (ENER) nga dita e hënë e javës së ardhshme, ku publiku do të ketë mundësi të paraqesë vërejtje dhe propozime./Telegrafi/

Share.
Exit mobile version