Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot kumtoi se filluan kontrollet e të gjitha ndërmarrjeve për prodhim të kanabisit mjekësor. Siç tha në konferencën për shtyp, do të duhet të kontrollohen 43 licenca.
Është sjellë, përkujtoi Aliu, edhe vendim qeveritar për emërim të anëtarëve të komisionit mes resorëve.
“Prej sot fillojnë kontrollet e jashtëzakonshme së bashku me MPB-në, derisa po vijon kjo konferencë prë shtyp, kolegët ndodhen në terren. Do të duhet të kontrollohen 43 licenca për prodhim të kanabisit mjekësor. Pardje në mbledhje qeveritare u soll vendimi për emërim të anëtarëve të komsiionit ndërmjet resorëve. Një person nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) do të kryesojë me të. U krijua në vitin 2017, ndërkaq nuk gjetëm asnjë raport për punën e tij edhe pse është një ndër kyçet për të pasur qasje se çfarë po ndodhë lidhur me prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore”, theksoi Ministri.
Aliu theksoi se tani për tani janë dy komisione, njëri i përbërë nga Ministria e Shëndetësisë, i cili punon në vazhdimësi, dhe njëri – mes resorëve.
“Njërin komision e krijoi MSH-ja, numëron pesë anëtarë – dy nga Ministria, një nga Instituti për shëndet publik, një nga MALMED dhe një nga MBPEU-së, ndërsa kompetent është për dy gjëra – t’i analizojë procedurat administrative dhe të japë pajtueshmëri për licencat. Ky Komision punon në vazhdimësi dhe kemi informatë se sa lëndë janë arkivuar.
Tjetri është mes resorëve, me ingerenca shumë më të gjera, i cili i analizon politikat për këtë lloj procesesh. Komisioni mes resorëve është sipas Ligjit për Qeveri dhe mendoj se ka 13 anëtarë. Është krijuar në vitin 2017, ka qenë aktiv që atëherë, por nuk ka asnjë raport, nuk ka aktivitete të cilat tregojnë për ndonjë lëshim – sistematik apo nga aspekti i infrastrukturës. Lidhur me rregulloret, janë dy, një e vjetër dhe një tjetër. Ekspertët tanë nga Ministria e Shëndetësisë dhe dy profesorë universitarë po i analizojnë. Pas analizave, nëse ka nevojë, do të dalim me procedurë për rregulloret”, theksoi Ministri.
Aliu informoi se të martën, në mbledhje qeveritare, ka kërkuar ndryshime ligjore që do t’i mundësojnë ministrit në raste të këtilla të ketë ingerenca për të krijuar më shumë se një komision.

