Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, së bashku me kryetaren e Odës së Mjekëve, Kalina Grivçeva Stardellova, sot mbajtën një press-konferencë me rastin e shënimit të Ditës Evropiane për Ndërgjegjësimin kundër Dhunës ndaj Punonjësve Shëndetësorë.

“Për sistemin shëndetësor është thelbësore që të punësuarit të ndihen të sigurt në vendin e tyre të punës, në mënyrë që të mund të ofrojnë mbrojtjen dhe kujdesin e nevojshëm shëndetësor për pacientët. Gjatë periudhës së fundit, Oda e Mjekëve ka realizuar disa hulumtime mbi këtë temë dhe të dhënat tregojnë se një pjesë e mjekëve kanë raportuar se kanë qenë të ekspozuar ndaj ndonjë forme dhune në vendin e punës, ndërsa një numër më i madh kanë qenë të ekspozuar ndaj dhunës verbale”.

“Për ne si Ministri është e rëndësishme që po zbatohen me sukses ndryshimet në Kodin Penal, me të cilat dhuna ndaj një punonjësi shëndetësor gjatë kryerjes së detyrave profesionale konsiderohet si dhunë ndaj një personi zyrtar dhe përbën vepër penale për të cilën parashikohet dënim me burg”, theksoi ministri Aliu.

Ai shtoi se një rol veçanërisht të rëndësishëm ka Oda e Mjekëve, e cila në mënyrë aktive ndjek veprimet e institucioneve kompetente dhe propozon masa dhe politika për parandalimin e dhunës në sektorin e shëndetësisë. Gjithashtu ai rikujtoi se çdo formë dhune ndaj një punonjësi shëndetësor duhet të raportohet menjëherë, pasi bëhet fjalë për një vepër penale.

Share.
Exit mobile version