Aktivistët civilë nuk janë optimistë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do t’i përmbushin deri më 1 shkurt rekomandimet e UNESCO-s dhe se ato do të zbatohen në praktikë, me qëllim që rajoni përreth Liqenit të Ohrit të mos përfundojë në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
Ky është afati që UNESCO ua dha të dyja shteteve në korrik të këtij viti, i cili shihet si shans i fundit për të dy vendet.
„Deri më tani shteti nuk ka treguar një qëllim serioz për të bërë ndryshime në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s, veçanërisht kur bëhet fjalë për urbanizimin e paplanifikuar dhe agresiv të Ohrit. Prandaj nuk besoj në premtime të tilla, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Unë mendoj se shteti mund të tregojë që nesër qëllim për ndryshime. Ne si qytetarë do ta ndiejmë këtë. Nuk ka nevojë të pritet deri më 1 shkurt. Nuk presim si qytetarë që kjo të ndodhë për dy ditë, por një qëllim i sinqertë do të njihet menjëherë“, tha Dragana Karoshva – Iniciativa “Mirupafshim Bukovë”.
UNESCO është e vetëdijshme se për 7 muaj nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet, por të paktën mund të ndërmerret ndalja e planeve problematike urbanistike që janë në kundërshtim me rekomandimet, thotë ekologu Konstantin Zdraveski.
“Nëse institucionet mbeten inerte dhe nuk ndërmarrin as edhe pak nga ajo që është thënë, sigurisht që rajoni i Ohrit do të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik të UNESCO-s, gjë që do të ketë reperkusione edhe në të ardhmen, ndërsa brezat e ardhshëm do të na qortojnë pse nuk kemi ndërmarrë më shumë. UNESCO nuk është armik i zhvillimit ekonomik, përkundrazi, UNESCO është një organizatë në të cilën ne jemi anëtarësuar vullnetarisht në vitet ’80 të shekullit të kaluar dhe është përgjegjësia jonë t’i ndjekim rregullat dhe parimet e UNESCO-s, ashtu siç veprojnë edhe shumë vende të tjera. Nëse nuk e duam këtë, atëherë duhet ta themi hapur”, u shpreh Konstantin Zdraveski – aktivist.
Aktivistët vlerësojnë se hapi i parë duhet të jetë ndërmarrja e masave urgjente me tolerancë “zero” ndaj ndërtimeve pa leje dhe t’i jepet fund urbanizimit masiv dhe të pakontrolluar në Ohër e Strugë si dhe masa për uljen e ndotjes. /Alsat.mk

