Një projekt që synon të nxjerrë nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët nga mësimi i zakonshëm drejt punës praktike në terren tashmë ka mbërritur në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Bëhet fjalë për një nismë të dorëzuar nga këshilltari Naim Bajrami që kërkon zyrtarizimin e vullnetarizmit rinor, si një urë lidhëse mes edukimit dhe institucioneve lokale. Megjithëse hapi i parë u hodh, fati i këtij propozimi tashmë mbetet në duart e këshilltarëve, nga të cilët kërkohet mbështetje për ta kthyer atë në një realitet për të rinjtë e kryeqytetit.

“Në aspektin shoqëror rrit ndjenjën e përgjegjësisë e të rinjve ndaj institucioneve të sistemit, u jep hapësirë që ata të jenë aktiv dhe të mos pasivizohen si të rinjtë dhe përveç nga teoria që ata mësojnë në shkollat e mesme dhe në fakultetet përkatëse ata të kenë një mundësi të mirë që të marrin një praktikë konkretisht të lëmive që ata studiojnë. Pse një student që ka prirje të biologjisë të mos mund të praktikoj në Kopshtin Zoologjik, dikush që ka prirje nga kultura të mos mund të praktikoj në institucionet kulturore në kuadër të qytetit, dikush që ka prirje nga arkitektura të mos mund të marrë pjesë në zhvillimin dhe hartimin konkret dhe direkt të Planit gjeneral urbanistik që e udhëheq qyteti e kështu me radhë”, deklaroi Naim Bajrami, Këshilltar në Qytetin e Shkupit.

Sipas Bajramit, përfitimet e kësaj iniciative shihen si të dyanshme, ndërsa qyteti fiton energji dhe ide të reja, të rinjtë përgatiten për tregun e punës. Për nxënësit e drejtimeve profesionale, kjo është mundësia e parë për të testuar veten jashtë librave.

“Praktika ndihmon në aftësi reale ku na mundëson bashkëpunim, komunikim dhe punë në ekip gjë që nuk mësohet vetëm në bankat shkollore. Gjithashtu na mundëson orientimin profesional, e shohim veten se a jemi për atë profesion a jemi për atë drejtim, a e gjejmë vetveten. Gjithashtu na tregon për tregun e punës se në atë institucion nuk duhet vetëm diploma por edhe përvoja. Teoria nuk është e mjaftueshme, praktika është kurora e çdo profesioni. E gjithë teoria që mësohet nuk do të kishte efekt të plotë poqëse nuk realizohet edhe praktika”, tha një nxënëse e mjekësisë.

Edhe studentët e shohin këtë si një strategji të munguar prej vitesh, e cila i bën ata gati për administratën dhe institucionet ku nesër do të jenë bartës të punës.

“Për ti trajnuar apo për ti bërë gati kuadrot e reja që do të na përfaqësojnë nëpër institucione, administrate apo kudo qoftë në ato vende pune besoj se është strategjia më e bukur kjo që është dhënë për shkak se për ta mësuar punën duhet të kesh edhe praktikë. Të shkosh të bësh praktikën në një vend ku ti do të jesh aty në punë ose planifikon punë është mjaft e bukur gjë që në kohën timë, kur ne ishim nxënës të shkollave të mesme nuk e kishim edhe bësoj se djuhet përkrahur nga gjithë studentët”, tha një student.

Iniciativa tani pret dritën jeshile nga shumica e këshilltarëve, për t’u shndërruar në një politikë publike që do të ndryshojë komunikimin mes qeverisjes lokale dhe gjeneratave të reja në Shkup.

Share.
Exit mobile version