Shefi i Shtabit të përgjithshëm të VLEN-it për zgjedhjet lokale, Adnan Azizi, është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo”, me të cilin kemi diskutuar për zgjedhjet lokale, VLEN-in në Qeveri, si dhe opozitën shqiptare.
Ai tha se VLEN është favorit absolut për zgjedhjet lokale dhe se kandidatët e tyre janë më të mirët të mundshëm.
“Është një entuziazëm i paparë. BDI nuk i ka më mekanizmat e shantazhit dhe kërcënimit, dhe qytetarët ndjehen të lirë. Kandidatët e VLEN-it janë më të mirët të mundshëm dhe nuk krahasohen me ata të AKI-së ose Frontit. Ndjehemi si favorit për të fituar çdo komunë ku ka shumicë shqiptare. Nga momenti që VLEN është në qeveri, nuk shantazhohet askush, as bizneset, as kompanitë, as qytetarët. Kjo qeveri nuk ka asnjë skandal të vetëm në këtë drejtim”.
“VLEN është i organizuar dhe konsoliduar, kemi identitetin e pakontestueshëm nën emblemën e VLEN-it, ky është avantazhi kryesor. Shihet entuziazmi në kampin tonë dhe situatën e zymtë në anën tjetër, dhe kjo vjen si pasojë e asaj që mbretëron unitet i jashtëzakonshëm në VLEN, dhe ka disharmoni në AKI, pasi nuk iu funksionon as koalicioni, i cili është me grupe të ndryshme, të cilët i bashkon interesat personale. Në të kaluarën janë quajtur me emra të ndryshëm, ndërsa sot janë bashkuar për interesa personale”, tha Azizi.
E pyetëm për fyerjet anti-shqiptare dhe rolin e VLEN-it në Qeveri, ai tha se sulmet ndaj shqiptarëve bëhen me strategji.
“Kjo bëhet me strategji, BDI gjatë kohës në pushtet nuk e ka pasur dertin e shqiptarëve. Nëpërmjet parave të korrupsionit kanë krijuar propagandë se ata kanë qenë në shërbim të shqiptarëve dhe se kush vjen pas tyre është vasal i OBRM-PDUKM-së. Nuk gjejmë asnjë projekt në të mirë të qytetarëve që BDI e ka përfunduar. Kanë pasur pushtet absolut dhe asgjë nuk kanë bërë. Dihet edhe ajo fjala popullore që thotë se “strofulla e fundit e maskarait është patriotizmi””, tha Azizi për pjesëmarrjen e VLEN-it në Qeveri.
Ai foli për të gjitha komunat veç e veç për zgjedhjet lokale, ndërsa tha se koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim është i përçarë dhe se kandidatët e VLEN-it janë më të mirë./Telegrafi/
Adnan Azizi: Kandidatët e VLEN-it janë favorit absolut në zgjedhjet lokale appeared first on Telegrafi.