U mbajt këtë të shtunë në Maqedoni të Veriut protesta e radhës në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mijëra protestues, veteranë të luftës, familjarë të luftëtarëve dhe mbështetës u mblodhën në Sheshin Skënderbej në Shkup me pankarta e flamuj të UÇK-së, Shqipërisë e SHBA-së.

Kreu i organizatës së veteranëve të luftës, organizatore e protestës, Hysni Gucati, përsëriti kërkesat e protestës.

“Nuk kërkojmë lëmoshë, kërkojmë një drejtësi të drejtë, jo të motivuar nga Serbia…”

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe ish-luftëtar, Ali Ahmeti, tha se UÇK ishte një lëvizje guerile që luftoi brenda të gjitha rregullave të luftës e jo siç pretendonte Serbia.

Në fund të fjalës, Ali Ahmeti falenderoi SHBA, BE dhe NATO-n për mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare, si dhe gjeneralin Wesley Clark, ish-nënsekretarin amerikan të Shtetit James Rubin dhe ambasadorin Chris Hill për dëshmitë e tyre në dhomat speciale të Hagës.

Protesta të ngjashme janë mbajtur më herët në Tiranë, Prishtinë dhe në Hagë.

Gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, të cilët u arrestuan në vitin 2020, nisi në 2023 dhe po shkon drejt përfundimit. Të katër ish-krerët e UÇK i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version