Nga Armand Plaka/ Më poshtë po botoj një dokument interesant (sekret) që tregon pasigurinë dhe frikën e qeverisë shqiptare të kohës në korrik 1944 për të vijuar me planet mbështetëse për Gjermaninë, ndërsa lufta tashmë kishte marrë një drejtim humbës për gjermanët dhe aleatët e tyre.

Dokumenti në vetvete është një telegram me prioritet të lartë që krerët e lartë të SS-ve në zemrën e Rajhut në Berlin, përcillnin për dijeni e për vlerësim mes tyre në lidhje me situatën në Shqipëri. Më konkretisht telegrami i drejtohet Shefit të Policise së Sigurisë dhe SS-Obergruppenführer (afërsisht ekuivalente me gjeneral) Ernst Kaltenbrunner, përgjegjës për zbulimin dhe kundërzbulimin politik, në Berlin dhe është nënshkruar nga Heinrich Himmler, kreu epror i Trupave SS-së.

Ndërsa në Shqipëri vijonin aksionet e Frontit Nacionalclirimtar të udhëhequr nga komunistët e Hoxhës e të Shehut, në kohën kur është dërguar telegrami, i cili mban datën 27 korrik 1944, detyrën e Kryeministrit sapo e kishte marrë Fiqiri Dine, duke pasuar kësisoj Rexhep Mitrovicën (kryeministër deri në qershor 1944) dhe shënuar një fazë detante dhe rivlerësimi të situatës në tërësi, duke shmangur sa mundej bashkëpunimin faktik me gjermanët e nisur të lëshonte terren për pushtetarët e radhës që s’do të vononin të vinin.

Gjithsesi, Dinen në detyrë e pasoi Ibrahim Bicakçiu e ishte realisht ai që “de jure” bëri dhe kalimin e butë të pushtetit tek komunistët me anë të një marrëveshje të fshehtë (të pashkruar) për të shmangur sa më shumë dëmet kolaterale që janë të pashmangshme në të tilla raste.

Kjo periudhë, pra vera e sidomos vjeshta 1944, shënon dhe atë që mund të thuhet se ishte “lënie në baltë” e Gjermanisë nga shumë prej aleatëve të saj dhe kthimin e pushkëve kundër saj nga një sërë vendesh, nisur nga Finlanda deri në Bullgari, ku pjesë e tyre do të bëheshin edhe vende neutrale si Turqia e Portugalia, pasi tashmë “e kishte marrë ferra uratën”.

Shqipëria duket se zgjodhi një tjetër rrugë në aspektin zyrtar: Tërheqjen e butë e mosplotësimin real të kërkesave të Rajhut duke luajtur sa më shumë diplomatikisht që të shmangte hakmarrjen teutone, ndërsa kishte forcuar shumë lëvizjen e saj të rezistencës (të përzier sigurisht edhe me shumë elementë të luftës civile).

Qeveria e Dines ishte jetëshkurtër, me autoritet shumë të kufizuar, ndërsa situata ushtarake dhe politike në vend ishte në kolaps për shkak të avancimit të forcave partizane.

Kjo përputhet drejtpërdrejt me përmbajtjen e telegramit të 27.07.1944, ku përmendet se “qeveria e tanishme nuk do të na sigurojë as vullnetarë dhe as trupa”, ndërsa pohohet fillimisht sigurisht edhe gjendja aspak favorizuese për Rajhun dhe shprehet shqetësimi se Neubacher s’ po ndjehej më prej 10 ditësh e kërkohej rivendosja e kontaktit me të.

Më poshtë teksti i plotë i telegramit, kopjen origjinale të të cilit po e sjell sot për herë të parë për publikun shqiptar:

Telegram – Urgjent!
Për: Shefin e Policisë së Sigurisë dhe kreun e SD SS-Obergruppenführer Kaltenbrunner
Berlin
I dashur Kaltenbrunner!
Kam përshtypjen se gjërat në Shqipëri nuk po shkojnë mirë. Fitzthum më njofton se i dërguari Neubacher prej 10 ditësh nuk është i arritshëm. Shihni që të vendoset lidhja me Neubacher. Jam gjithashtu i mendimit se qeveria e tanishme nuk do të na sigurojë as vullnetarë dhe as trupa ushtarake.
Heil Hitler!
27.07.1944
RF/M.
(Nënshkruar): H. Himmler

/Marrë nga faqja e Facebook e autorit

Zbulohet telegrami sekret i Himmler në korrik 1944: Qeveria shqiptare s’po na ndihmon appeared first on Lapsi.al.

Share.
Exit mobile version