Debatet televizive mes kandidatëve për pozicione të rëndësishme politike filloi në mesin e shekullit të kaluar në SHBA. Sot ai është një institucion televiziv në pothuajse çdo vend të botës dhe madje zhvillohet edhe në kanale lokale. (Përveçse në Shqipëri ku debate të tilla mungojnë prej vitesh, red.). Megjithatë, shumë pak e dinë se kur është zhvilluar debati i parë televiziv mes dy grave. Gjithçka ndodhi në 4 nëntor 1956 dhe përballë u vunë Eleanor Roosevelt dhe Margaret Chase Smith, në prag të zgjedhjeve presidenciale të kohës edhe pse ato vetë nuk ishin kandidate.

Eleanor Roosevelt, e veja e ish-Presidentit Franklin Roosevelt, një anëtare e shquar e Partisë Demokrate debatoi para kamerave me senatoren republikane Margaret Chase Smith, e zgjedhur në shtetin e Maine. Në garë për president ishte kandidati demokrat Adlai Stevenson që kishte ftuar në debat Presidentin që kërkonte rizgjedhjen Ike Eisenhower, por në vend të kësaj ata ranë dakord që përballja të bëhej nga dy gratë.

Stevenson e vlerësonte shumë Roosevelt dhe aftësitë e saj politike. Ajo ishte një mbështetëse e flaktë e tij dhe luajti një rol vendimtar në garën e tij brenda partisë. Falë përvojës së saj në Shtëpinë e Bardhë, ajo mund ta promovonte lehtësisht kandidatin demokrat te masat. Ndërsa Margaret Chase Smith e kishte mandatin e saj të dytë në Senat dhe ndihej mjaftueshëm e sigurt për të mbështetur publikisht kandidaturën e kolegut të saj për President.

Debati u zhvillua në emisionin “Face the Nation” të CBS. Të dyja gratë nuk kishin pasur kurrë më parë një debat të tillë, por Margaret Chase Smith e kishte kuptuar tashmë rëndësinë e paraqitjes në një debat. Ajo zgjodhi rroba dhe flokë që binin ndesh me stilin e Roosevelt, e cila për vite me radhë ishte veshur si një gjyshe konservatore. Smith ndryshoi tonin e saj të zërit duke treguar forcë edhe mirësi.

Nga ana tjetër, Roosevelt u kushtoi vëmendje përgjigjeve të saj dhe kështu arriti të dominonte pjesën më të madhe të debatit, i cili, natyrisht nuk përcaktoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Në fund të debatit, Smith kuptoi se duhej të kishte qenë më e vendosur, duke i dhënë publikut një epilog të fuqishëm. Kjo e acaroi Roosevelt, e cila nuk i shtrëngoi dorën bashkëbisedueses së saj, kur i doli sërish përballë në një debat 4 vjet më vonë. Megjithatë, u deshën disa vite që gratë të merrnin vendin e tyre para kamerave televizive, edhe pse ishin ato që inauguruan një institucion që do të zgjaste përgjithmonë.

Më poshtë mund të shihni fillimin e debatit, dy ditë para se të mbaheshin zgjedhjet. /LAPSI.al

Roosevelt – Smith/ Debati i parë televiziv u bë mes dy grave 70 vjet më parë appeared first on Lapsi.al.

Share.
Exit mobile version