Kapiteni i një nëndetëseje gjermane dalloi një siluetë në brigjet e Anglisë jugore dhe dha urdhër për të qëlluar një silur. Pak minuta më vonë, anija “Tampa” e Rojës Bregdetare Amerikane u zhduk dhe mbeti mister për më shumë se një shekull.
Brenda 3 minutash nga goditja e silurit gjerman në mes të anijes, Tampa u fundos në fund të Atlantikut, duke vrarë të 131 anëtarët e ekuipazhit të saj. Kjo ishte humbja më e madhe detare për Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Parë Botërore, sipas CNN.
Roja Bregdetare Amerikane njoftoi të mërkurën se anija e mbytur u zbulua fundjavën e kaluar nga një ekip zhytësish britanikë në një thellësi prej rreth 91 metrash, vetëm 80 kilometra larg bregdetit të Kornuollit. Zbulimi u bë nga një grup vullnetar i zhytjeve teknike i quajtur “Gasperados Dive Team”, i cili punon me historianë dhe studiues për të gjetur anije të mbytura rreth Mbretërisë së Bashkuar.
Ekipi ka qenë në kërkim të anijes “Tampa” që nga viti 2023. “Ky zbulim është rezultat i 3 viteve kërkime dhe eksplorime. “Tampa” ka një rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara dhe për familjet e atyre që humbën jetën atë ditë. Më në fund e dimë vendin e tyre të fundit të prehjes”, – tha në një postim udhëheqësi i ekipit, Steve Mortimer.
Në një postim tjetër, ekipi theksoi përpjekjen kolektive që çoi në vendndodhjen e rrënojave: “Gjetja e anijes nuk ishte vetëm rezultat i fundjavës së kaluar. Ky ishte misioni ynë i 10-të drejt objektivave të mundshëm dhe të gjithë – nga kapitenët dhe ekuipazhet te studiuesit dhe zhytësit – kontribuan. Ende nuk mund ta besojmë. Ne ia dolëm.”
Roja Bregdetare e SHBA-së i siguroi ekipit të dhëna arkivore dhe materiale historike që ndihmuan në konfirmimin se rrënojat janë të “Tampa”-s. Sipas historianit William Thiessen, “provat përfshinin fotografi të pajisjeve të kuvertës, timonit, kambanës dhe armatimit të anijes, si dhe imazhe arkivore të vetë Tampas.”
Sipas të dhënave historike, “Tampa” mori përsipër detyrën e eskortës në ujërat e Atlantikut më 17 shtator 1918. Megjithatë, më 26 shtator, kapiteni i saj kërkoi leje për t’u larguar nga eskorta që po mbikëqyrte, pasi anija e tij kishte shumë pak qymyr për kaldajat e saj dhe kishte nevojë të furnizohej me karburant. Kërkesa u pranua dhe anija u nis me shpejtësi të plotë drejt një porti uellsian.
Pak pas orës 20:15, Tampa u pikas nga nëndetësja gjermane UB-41, e cila qëlloi një torpedo të vetme. Shpërthimi fillestar u pasua nga një i dytë, ndoshta i shkaktuar nga ndezja e pluhurit të qymyrit ose nga shpërthimi i bombave të mbajtura nga anija.
Një avion kërkimi i dërguar për të kërkuar anijen gjeti disa mbetje në det të nesërmen. Anija mbante 111 personel të Rojës Bregdetare, 4 marinarë të Marinës Amerikane dhe 16 personel britanik, përfshirë personel të Marinës Mbretërore dhe civilë. Ekuipazhi vinte nga një gamë e larmishme prejardhjesh dhe rajonesh në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë emigrantë nga Rusia dhe Norvegjia.
Midis tyre ishin 11 afrikano-amerikanë, të cilët ishin personeli i parë i Rojës Bregdetare nga kjo pakicë që u vranë në aksion.
Komandanti i Rojës Bregdetare, Admirali Kevin Landey, theksoi: “Kur Tampa u zhduk me gjithë ekuipazhin e saj në vitin 1918, ajo la një trashëgimi të qëndrueshme në shërbimin tonë. Zbulimi i anijes na lidh me sakrificën e tyre dhe na kujton se përkushtimi ndaj detyrës jeton.”
Roja Bregdetare Amerikane njoftoi se tashmë po shqyrton plane për të hetuar më tej anijen e rrënuar, duke përdorur sisteme autonome dhe teknologji robotike. /LAPSI.al
PAMJET/ Gjendet pas 107 vjetësh anija amerikane e zhdukur në Luftën e Parë Botërore appeared first on Lapsi.al.

