U gjet në orët e para të mëngjesit të së martës trupi i pajetë i gruas së pestë, e cila rezultonte e zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm dhe zjarrit që përfshiu një ditë më parë fabrikën e biskotave “Violanta” në Trikala të Greqisë. Viktima u lokalizua pranë trupave të tre grave të tjera që ishin gjetur më herët.
Me gjetjen e trupit të fundit, bilanci i tragjedisë është rënduar në pesë punonjëse të vdekura.
Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak para orës 04:00, kur një shpërthim i fortë u pasua nga zjarr masiv në një nga repartet e fabrikës së biskotave “Violanta”. Si pasojë e shpërthimit, një pjesë e madhe e godinës u shemb, duke lënë të bllokuara brenda pesë gra.
Në momentin e ngjarjes, në fabrikë ndodheshin 13 punonjëse. Tetë prej tyre arritën të largoheshin në kohë dhe të shpëtonin, ndërsa pesë të tjera u shpallën të zhdukura dhe nisën menjëherë kërkimet.
Gjatë ditës së hënë, forcat e Zjarrfikëses dhe të EMAK-ut, me ndihmën e mjeteve të rënda, gjetën trupat e pajetë të katër grave. Kërkimet vijuan gjatë natës dhe në orët e para të së martës u lokalizua edhe trupi i viktimës së pestë.
Shkaqet e shpërthimit mbeten ende të paqarta. Autoritetet greke po hetojnë të gjitha pistat. Në vendngjarje ka mbërritur Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Zjarrvënies (DAEE), e cila po merr dëshmi nga punonjëset që i mbijetuan ngjarjes.
Gjithashtu, nga Athina janë caktuar dy grupe ekspertësh, përfshirë një inxhinier elektrik, një inxhinier kimik dhe një piroteknik, për të analizuar shkaqet e shpërthimit dhe zjarrit.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u dëgjua edhe në fshatrat përreth, duke shkaktuar panik dhe tronditje në të gjithë zonën. Familjarët e viktimave u mblodhën pranë fabrikës për të marrë informacion mbi fatin e të afërmeve të tyre.
Kompania “Violanta” shprehu publikisht dhimbjen e thellë për humbjen e punonjëseve dhe u zotua të mbështesë familjet e viktimave.
Sipas mediave greke, tre prej viktimave, Vasiliki, Elena dhe Stavrula, ndodheshin në repartin e prodhimit në momentin e shpërthimit. Vetëm pak orë përpara tragjedisë, ato kishin marrë pjesë së bashku në ceremoninë e prerjes së pites së Vitit të Ri të organizuar nga kompania.
/vizionplus.tv

