Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky ka konfirmuar se ka marrë propozimin amerikan për paqe, i cili kërkon që vendi i tij të bëj lëshime të mëdha.
Përmes një deklarate, Zelensky ka thënë se synon të diskutojë me presidentin amerikan, Donald Trump më shumë hollësi për planin.
“Kemi rënë dakord për të punuar në pikat e planit që do të mundësonin përfundim të dinjitetshëm të luftës. Ne jemi gati që të punojmë në mënyrë konstruktive me palën amerikane dhe partnerët tanë në Evropë e botë, që rezultat të jetë paqja”, tha Zelensky.
Ndërkohë duke folur në rrugë para zyrës së tij, një vend që ai e përdor shumë rrallë për fjalime të mëdha, Zelensky tha se Ukraina po përballet me një zgjedhje shumë të vështirë.
“Ky është një nga çastet më të vështira të historisë sonë. Tani, trysnia mbi Ukrainën është ndër më të mëdhatë. Tani, Ukraina mund të përballet me një zgjedhje shumë të vështirë: ose ta humbë dinjitetin ose të rrezikojë ta humbë një partner të madh”, shtoi ai.
Ndërkohë presidenti i SHBA-ve Donald Trump u shpreh në një intervistë radiofonike se mendon që Dita e Falënderimeve, e cila është të enjten e ardhshme, është një afat i përshtatshëm për Ukrainën që të pranojë propozimin për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë Bashkimi Europian ka deklaruar hapur se nuk është informuar për planin me 28 pika të SHBA-ve por në çdo rast unioni është në mbështetje të Ukrainës dhe i takon asaj të marrë vendimet.
Nga ana tjetër, Kremlini ka paralajmëruar Kievin të pranojë tani propozimin në fjalë ose do të humbasë më shumë territor në të ardhmen. Sipas mediave, propozimi parashikon që Ukraina të heqë dorë nga disa territore si dhe nga armatimi i mëtejshëm, të zvogëlojë numrin e forcave të armatosura dhe të ulë shkallën e ndihmës ushtarake amerikane, e cila ka qenë jetike në luftën kundër forcave ruse.
Për më shumë, kërkohet që në tokën ukrainase të mos ketë trupa të huaja dhe që Kievi të mos pranojë armë me rreze të gjatë veprimi. Zelensky i ka refuzuar më herët kërkesat e Moskës duke thënë se diçka e tillë do ta dobësonte Ukrainën dhe do ta bënte të cënueshme ndaj ndonjë pushtimi tjetër të mundshëm./vizionplus.tv

