Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi sot SHBA-në për lëshimin e një kësti të ri të ndihmës ushtarake, duke i kërkuar Uashingtonit – aleatit të çmuar të Kievit në luftën kundër agresionit rus – të vazhdojë dhënien e kësaj ndihme “të rëndësishme”, e ardhmja e së cilës është në dyshim gjithnjë e më e pasigurt.
Qeveria amerikane njoftoi të mërkurën lëshimin e ndihmës ushtarake në vlerë prej 250 milionë dollarësh për Ukrainën, praktikisht paketa e fundit e tillë me fondet ekzistuese, në pritje të votimit në Kongresin amerikan për miratimin e të rejave.
Sipas njoftimit të Departamentit të Shtetit, artikujt që përmban paketa përfshijnë municione për sistemet e mbrojtjes kundërajrore, elementë artilerie, antitank etj. Negociatat midis republikanëve dhe demokratëve për financimin e ri prej 61 miliardë dollarësh, për të cilin po insistojnë administrata e presidentit amerikan Joe Biden dhe ajo e homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky, do të vazhdojnë në fillim të janarit.
“Faleminderit Presidentit Joe Biden, Kongresit dhe popullit amerikan”, tha presidenti ukrainas në një postim në X, duke vënë në dukje se kjo ndihmë do të mbulojë nevojat më urgjente të Ukrainës. /vizionplus.tv