Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil u vranë në Siri gjatë një prite nga një person i armatosur i Shtetit Islamik, njoftoi ushtria amerikane.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka reaguar pas sulmit duke thënë se do të hakmerren.

“Ne do të hakmerremi”, theksoi presidenti amerikan në një postim, ndërsa duke iu referuar gjendjes së të plagosurve, ai tha se “ata janë mirë”.

“Ne vajtojmë humbjen e tre amerikanëve të shkëlqyer, dy ushtarëve dhe një përkthyesi. Lutemi për fatin e tre të plagosurve. Ky ishte një sulm i ISIS kundër Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë në një zonë shumë të rrezikshme…”

Sulmuesi u neutralizua nga forcat amerikane. Identitetet e viktimave nuk do të bëhen publike për 24 orë, deri sa të njoftohen familjarët e tyre, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-ve.

Sulmi ndodhi në Palmira, në qendër të Sirisë, sipas zëdhënësit të Pentagonit, Sean Parnell.

Një zyrtar i Pentagonit shtoi se kjo zonë nuk ndodhet nën kontrollin e presidentit sirian dhe se vlerësimet fillestare tregojnë se sulmi është kryer nga grupi i Shtetit Islamik.

Siria kohët e fundit iu bashkua një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar ISIS dhe ka premtuar bashkëpunim me SHBA-të.

Share.
Exit mobile version