Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen , në një letër drejtuar shteteve anëtare, kërkon që të gjenden zgjidhje për të përmbushur nevojat financiare të Ukrainës, duke theksuar se Kievi po përballet me një boshllëk të konsiderueshëm financiar.

Ajo i referohet Samitit të fundit të Liderëve dhe angazhimit të tyre për të mbështetur Ukrainën, duke vënë në dukje se ” duhet të gjenden zgjidhje për të mbuluar nevojat urgjente financiare të Ukrainës për periudhën 2026-2027, duke përfshirë mbështetjen ushtarake dhe mbrojtëse”.

Në letrën e saj, von der Leyen deklaron se bazuar në parashikimet paraprake të FMN-së, edhe nëse lufta përfundon deri në fund të vitit 2026 dhe merret në konsideratë e gjithë ndihma ndërkombëtare e angazhuar tashmë, Ukraina do të përballet me një boshllëk të konsiderueshëm financimi që kërkon fonde të reja.

Komisioni Evropian paraqet tre opsione kryesore për mbështetje shtesë dhe në kohë:

  • Së pari, financimi përmes granteve nga shtetet anëtare.
  • Së dyti, një kredi e cila do të financohet përmes huamarrjes së BE-së nga tregjet.
  • Së treti, një kredi të lidhur me të ardhurat ose balancat nga asetet e ngrira ruse.

Kushtet kryesore të vendosura nga Presidentja e Komisionit janë disponueshmëria e shpejtë e fondeve dhe shpërndarja e drejtë e barrës midis partnerëve ndërkombëtarë.

Komisioni Evropian thekson nevojën për angazhim kolektiv dhe një marrëveshje të shpejtë, veçanërisht në prag të Këshillit të ardhshëm Evropian në dhjetor, për të ruajtur presionin mbi Rusinë dhe për të krijuar kushtet për pezullimin e armiqësive dhe negociatat e ardhshme të paqes./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version