Dy rajone ruse në kufi me Ukrainën po përjetojnë ndërprerje të energjisë elektrike.

Të paktën  20,000 banorë kanë mbetur pa energji pas sulmeve ukrainase në infrastrukturën energjetike, thanë autoritetet lokale ruse.

Në rajonin e Belgorodit, i cili shpesh është shënjestër e zjarrit ukrainas, guvernatori, Vyacheslav Gladkov, tha në një postim në Telegram se “rrjeti i energjisë elektrike dhe i ngrohjes është dëmtuar rëndë”.

“Disa lagje janë prekur nga problemet e furnizimit me energji elektrike. Më shumë se 20,000 banorë janë pa energji elektrike”, shtoi ai.

Në rajonin e Kurskut , gjithashtu në kufirin me Ukrainën, “një zjarr shpërtheu  në një nga objektet energjetike në fshatin Korenevo”, duke lënë 10 komunitete pa energji elektrike, njoftoi guvernatori i rajonit, Alexander Khinstein, në një postim në Telegram.

Gjithashtu në Voronezh, në Rusinë jugperëndimore, një sulm me dron ukrainas gjatë natës shkaktoi probleme të përkohshme me energjinë elektrike dhe ngrohjen në qytet, sipas guvernatorit të rajonit, Alexander Gusev.

Ukraina ende nuk ka komentuar për këtë çështje. Kievi ka shtuar sulmet me dronë dhe raketa brenda Rusisë, duke goditur rafineritë e naftës, depot dhe qendrat e furnizimit që thotë se ushqejnë makinën e luftës së Kremlinit.

Moska i quan sulmet terroriste, ndërsa Kievi thotë se sulmet janë vetëmbrojtje legjitime në luftën që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version