Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi rritjen me 10% të tarifave tregtare ndaj Kanadasë, pas reklamës së provincës kanadeze Ontario, të cilën ai e cilësoi “të rreme dhe armiqësore”.
Reklama, që përfshinte fjalë të ish-presidentit amerikan Ronald Reagan mbi pasojat negative të tarifave, u transmetua gjatë ndeshjes së parë të World Series midis Toronto Blue Jays dhe Los Angeles Dodgers. Trump reagoi ashpër në platformën e tij Truth Social.
“Reklama duhej të hiqej menjëherë, por ata e lanë të transmetohej, duke ditur se ishte mashtrim. Për shkak të shtrembërimit serioz të fakteve dhe aktit armiqësor, po rris tarifat ndaj Kanadasë me 10%”, tha Trump.
Të enjten, Trump pezulloi bisedimet tregtare me Otavën, duke thënë se reklama ishte “mashtruese dhe e pabazë”.
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, deklaroi se pas konsultimeve me kryeministrin kanadez Mark Carney, provinca do të ndalojë fushatën reklamuese të hënën për të lejuar rifillimin e negociatave.

