
Policia italiane ka arrestuar tre shtetas shqiptarë në kuadër të një operacioni kundër trafikut të drogës në zonën e Funo di Argelato, në provincën e Bolonjës. Arrestimet u bënë pas një hetimi disa mujor që çoi në zbulimin e një baze të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe sekuestrimin e 20 kilogramëve hashash dhe 44,500 eurove në para të gatshme.
Sipas mediave italiane, hetimet u përqendruan në një apartament që dyshohej se përdorej si qendër për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës. Pasditen e 5 nëntorit, policia organizoi një operacion mbikëqyrjeje pranë banesës së dyshuar.
Gjatë vëzhgimit, efektivët vunë re një 20-vjeçar shqiptar që doli nga godina dhe u takua me një 34-vjeçar, gjithashtu shqiptar, në një automjet në Via San Giobbe. Dy personat u panë duke shkëmbyer para dhe një çantë, çka ngriti dyshimet e policisë. Pas ndërhyrjes, në makinën e 20-vjeçarit u gjetën 200 pako kanabisi me peshë totale 20 kilogramë, ndërsa në automjetin e 34-vjeçarit u sekuestruan 42,500 euro dhe 1,000 euro të tjera në çantën e tij të shpinës.
Kontrollet u shtrinë edhe në apartamentin e Funo di Argelato, ku u arrestua një 44-vjeçar shqiptar, i dyshuari i tretë i grupit. Në banesë u gjetën 1 kilogram marijuanë, 179.66 gramë hashash, materiale paketimi dhe 1,000 euro shtesë.
Burime nga policia italiane thanë se 44-vjeçari kishte precedentë penalë për trafik droge. Të tre të dyshuarit u shoqëruan në burgun “Rocco D’Amato” në Bolonjë. Gjykata vendosi arrest me burg për 34- dhe 44-vjeçarin, ndërsa për 20-vjeçarin urdhëroi arrest shtëpiak.
Autoritetet italiane e cilësuan operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve shqiptare të trafikut të drogës në rajonin e Bolonjës./vizionplus.tv









