Texas-Tre vëllezër, të moshave 6, 8 dhe 9 vjeç, kanë humbur jetën në Texas për shkak të motit të keq që ka përfshirë SHBA-në.
Tre të miturit ranë në një pellg të ngrirë përballë shtëpisë ku po qëndronin, njoftuan autoritetet të martën.
Dy djemtë më të mëdhenj u nxorrën nga uji nga ekipet e shpëtimit dhe një fqinj, ndërsa fëmija më i vogël u gjet pas disa orësh kërkime.
Nëna e tyre, Cheyenne Hangaman, tha për televizionin FOX 4 se kishte provuar t’i shpëtonte djemtë e saj pasi motra e tyre i tregoi se kishin rënë në pellg.
Ajo tha se u fut në ujë të ngrirë, por nuk mundi t’i shpëtonte.
Të tre djemtë ishin nxënës të shkollës fillore në Distriktin Shkollor Bonham, e cila kishte anuluar mësimin për shkak të motit të acartë.
Më shumë se 40 persona kanë humbur jetën në shtetet e prekura nga i ftohti ekstrem.

