Persona të armatosur hapën zjarr të dielën në një sinagogë, dy kisha ortodokse dhe një stacion policie në dy qytete të Dagestanit, duke vrarë një prift 66-vjeçar dhe të paktën 15 policë, siç njoftoi Sergei Melikov, lideri i kësaj republike ruse.

Sulmet ndodhën në qytetin Makhachkala, kryeqyteti i Republikës së Dagestanit dhe në qytetin bregdetar të Derbentit. Komiteti Hetues i Rusisë tha të dielën se kishte hapur një hetim penal për “akte terroriste”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Nga ana e saj, agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi se sulmuesit ishin anëtarë të një “organizate terroriste ndërkombëtare” sipas agjencive të zbatimit të ligjit. Autorët e sulmit në Derbent më herët janë parë duke ikur me një makinë.

“Është një ditë tragjike për Dagestanin dhe gjithë vendin”, tha Sergei Melikov në një video-mesazh të shpërndarë përmes platformës Telegram.

Kryetari i Këshillit të Komuniteteve Hebraike të Federatës Ruse, Baruch Gorin, njoftoi në një mesazh Telegram se sinagogës në Derbent iu vu zjarri dhe u dogj.

Sulmet e koordinuara nga persona të armatosur në kryeqytetin e Dagestanit, Makhachkala, dhe në qytetin e Derbentit (më në jug), erdhën tre muaj pas një masakre në të cilën 145 njerëz vdiqën në një sallë koncertesh pranë Moskës. Sulmi u mor përsipër nga grupi Shteti Islamik.

Një i dyshuar është arrestuar

“Ne e kuptojmë se kush qëndron pas organizimit të sulmeve terroriste dhe cili ishte qëllimi i tyre,” vuri në dukje Melikov, por nuk dha më shumë detaje.

Mediat ruse raportojnë se dy nga djemtë e Magomed Omarov, kreut të qarkut Sergokalinsky, ishin midis autorëve. Omarov, 63 vjeç, u arrestua dhe dyshohet se organizoi sulmin terrorist.

Gjashtë nga sulmuesit u vranë, sipas Sergei Melikov, i cili shpalli tre ditë zie në Republikën e Dagestanit./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version