Luftimet janë intensifikuar në lindje të Ukrainës, rreth qytetit në vijën e frontit, Pokrovsk, teksa Rusia kreu edhe një tjetër sulm gjatë natës mbi Kiev duke goditur infrastrukturën civile.
Ekipet e ndihmës së parë po vijonin kërkimet në rrënoja në mëngjesin e kësaj të shtune, ndërsa nurëmi i viktimave u raportua fillimisht në të paktën 7 persona.
Autoritetet ukrainase thanë se tre raketa dhe qindra dronë u lëshuan gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore e vendit asgjësoi pjesën më të madhe të tyre.
Sulmet erdhën pas një breshërie edhe më intensive të një natë më parë, prej 430 dronësh dhe 18 raketash, ku u vranë 6 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se qindra përplasje kishin ndodhur gjatë 24 orëve të fundit midis forcave ruse dhe atyre ukrainase përgjatë vijës së frontit në lindje.
Gati gjysma e tyre ndodhën në fshatrat dhe zonat përreth Pokrovskut, i cili ka nyje të rëndësishme rrugore dhe hekurudhore dhe ka qenë nën kërcënimin e rrethimit nga forcat ruse për pjesën më të madhe të vitit.
Kjo zonë konsiderohet si strategjike për të dy vendet megjithatë presidenti Zelensky ka thënë se nuk është kundër tërheqjes për shkak të kushteve të vështira, por iu takon gjeneralëve në terren për të marrë vendimin.
Nga ana tjetër marrja e kësaj zonë është e rëndësishme për Moskën, pasi mund të përdoret si pikënisje për sulme të mëtejshme më thellë në Ukrainë.

