Një 32-vjeçar britanik, i akuzuar se ka sulmuar me thikë disa pasagjerë në një tren në Anglinë Lindore, nuk ishte i njohur nga policia kundër terrorizmit apo shërbimet e sigurisë, njoftoi sot ministrja e Transportit, Heidi Alexander.

Sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës dhe shkaktoi plagosjen e 11 personave, përfshirë një anëtar të ekuipazhit të trenit, i cili vazhdon të trajtohet në spital në gjendje kritike, por të qëndrueshme. Pesë nga të plagosurit u lëshuan nga spitali të dielën vonë.

Alexander bëri të ditur për Times Radio se i dyshuari, i cili u arrestua për tentativë vrasjeje, nuk ishte i shënjestruar nga autoritetet kundër terrorizmit para incidentit. Ajo nuk dha detaje nëse personi ishte i njohur nga shërbimet e shëndetit mendor.

Policia Britanike e Transportit tha se oficerët mbërritën në vendngjarje brenda tetë minutave nga thirrja e parë për emergjencë. Një thikë u gjet në vendin e ngjarjes dhe hetuesit po shqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë, që tregojnë se një anëtar i ekuipazhit ndërhyri për të ndaluar sulmuesin.

Ai hyri në mes duke rrezikuar jetën e tij,” tha Alexander. “Shumë njerëz janë gjallë sot falë veprimeve të tij.

Ekuipazhi i trenit vazhdon të trajtohet në gjendje kritike, por të qëndrueshme.

I dyshuari u arrestua kur treni ndaloi emergjentisht në Huntingdon, rreth 130 km në veri të Londrës. Autoritetet konfirmuan se nuk kërkojnë asnjë person tjetër në lidhje me ngjarjen.

/vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version