Forcat ruse kanë nisur një “sulm të ri masiv” me raketa dhe dronë kundër infrastrukturës energjetike të Ukrainës , si rezultat i të cilit të paktën gjashtë persona u plagosën, njoftojnë autoritetet ukrainase.
“Armiku nuk heq dorë nga planet e tij për të privuar ukrainasit nga drita. Një sulm i ri masiv kundër industrisë sonë energjetike!”, shkruan në Telegram ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko .
Sulmet kishin në shënjestër objektet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike në provincat Poltava, Kirovograd, Zaporizhia, Lviv, Ivano-Frankivsk dhe Vinnytsia, tha ai.
Autoritetet lokale raportuan të paktën gjashtë persona të plagosur gjatë natës: një në provincën Dnipropetrovsk, një në Kirovograd, dy në Brovary, afër Kievit dhe të paktën dy të tjerë në kryeqytetin ukrainas.
Kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë DTEK njoftoi se tre nga termocentralet e saj janë “dëmtuar rëndë”.
Zyrtarët e kompanisë deklaruan se objektet e saj janë bombarduar afërsisht 180 herë që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, përfshirë pesë herë në gjashtë javët e fundit.
Sipas komandës ushtarake të Kievit, bombarduesit strategjikë rusë Tu-95MS hodhën disa raketa lundrimi në kryeqytet, i cili u vu në gatishmëri të lartë për tre orë./vizionplus.tv.