Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta që goditën Portugalinë gjatë natës së kaluar shkaktuan vdekjen e të paktën dy personave dhe dëme të shumta në zonën e Lisbonës dhe në qendër të vendit, sipas shërbimeve të emergjencës.

Stuhia “Kristin” u shoqërua me reshje intensive dhe erëra që arritën deri në 150 kilometra në orë, duke shkaktuar rrëzimin e pemëve, përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Shërbimet e shpëtimit ndërhynë në rreth 1.500 raste nga mesnata deri në orën 08:00 të mëngjesit me orën lokale.

Një person humbi jetën në Vila Franca de Xira, në periferi të Lisbonës, kur një pemë e shkulur nga era ra mbi automjetin që ai po drejtonte, njoftoi Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Civile. Një tjetër person u vra nga rënia e një “strukture metalike” në Monte Real, në zonën e Leirias, në qendër të Portugalisë.

Qeveria portugeze përmes një deklarate e cilësoi stuhinë si një “ngjarje ekstreme klimatike që shkaktoi dëme të konsiderueshme në shumë pjesë të territorit”.

Në orët e para të mëngjesit, deri në 850.000 familje mbetën pa energji elektrike.

Shumë akse rrugore mbeten të bllokuara ose pjesërisht të mbyllura, përfshirë autostradën kryesore që lidh Lisbonën me veriun e vendit. Gjithashtu, qarkullimi i trenave është ndërprerë në disa zona.

Disa bashki vendosën të mbajnë shkollat të mbyllura sot.

Portugalia është goditur ditët e fundit nga disa stuhi radhazi.

Stuhia “Kristin” vazhdoi rrugëtimin e saj drejt lindjes dhe arriti këtë mëngjes në Spanjë.

Në qytetin bregdetar Torremolinos, erërat e forta shkaktuan rrëzimin e një peme të martën, duke lënë të vdekur një grua.

Më shumë se 160 rrugë në të gjithë Spanjën u prekën nga bora, përfshirë 27 autostrada të rrjetit kryesor, si A-6 që lidh Madridin me veriperëndimin e vendit. Bora mbuloi gjithashtu çatitë e shtëpive në disa pjesë të Madridit qendror, por pa shkaktuar probleme serioze.

Shërbimi kombëtar meteorologjik i Spanjës, AEMET, paralajmëroi se zona të mëdha të vendit mund të përballen me erëra shumë të forta, me disa shpërthime që mund të arrijnë forcën e një uragani. Autoritetet në disa pjesë të provincës jugore Almería shpallën alarm të kuq për shkak të intensitetit të erërave.

Share.
Exit mobile version