Shoqata Kulturore në Aarburg të Zvicrës ka shfaqur së fundmi një energji negative, me Kryesinë e re që vepron jashtë normave të zakonshme. Personi kryesor (figurë fetare) i kësaj Shoqate është bërë pjesë e kryesisë, gjë që nuk tolerohet dhe nuk ka kuptim në asnjë normë institucionale. Ai është i punësuar për të kryer shërbimet fetare të Shoqatës, e jo për të vendosur për politikat dhe ligjet si anëtar kryesie, ngase influenca e tij tejkalon normat e lejuara.
Që nga janari i këtij viti, kur është zgjedhur kryesia e re, gruaja e këtij personi është caktuar nga Kryesia si përgjegjëse për sektorin e grave, duke i caktuar edhe pagesë mujore pa i informuar anëtarët paraprakisht, edhe pse kjo Shoqatë mbahet nga kontributet vullnetare të anëtarëve, pa të cilat nuk mund të ekzistojë. Skandali më i madh dhe kulmi i padrejtësive ka arritur me largimin e njëanshëm të një mësueseje të mësim-besimit nga ky institucion, e cila ka kontribuuar në mënyrë vullnetare pa asnjë kompensim për vite të tëra, vetëm pse kështu ka dashur gruaja e personit në fjalë, e cila tani është udhëheqëse me të gjitha kompetencat në sektorin e grave.
Nepotizmi dhe familjarizim që funksionojnë në vendet e Ballkanit, kjo Shoqatë kulturore fetare tashmë i ka sjellë në Zvicër. Ka pasur disa reagime për padrejtësi, sidomos pas shkarkimit të mësueses nga aktiviteti i mësim-besimit, por në vend që Kryesia të japë sqarime dhe të merret me rastin, kanë shkuar më tej sa që reaguesit i kanë akuzuar për shpifje, nxitje të urrejtjes dhe linçim, pa paraqitur asnjë argument që i vërteton akuzat e tyre, e po ashtu ua kanë ndaluar frekuentimin e objektit mësueses dhe iniciatores, të cilat vetëm ngritën zërin kundër padrejtësive dhe pakënaqësive.
Për shkak të reagimit kundër dukurive negative nga ana e aktivisteve në fjalë, personi fetar i potencuar, ndërkohë po pretendon dhe po mundohet t’i bindë anëtarët se mësuesja dhe iniciatorja po përpiqen të bëjnë përçarje, duke u përpjekur të largojnë anëtarët nga kjo Shoqatë kulturore fetare. Në realitet, është pikërisht ai që, përmes sjelljes së tij, dhe dominimit mbi Kryesinë e Shoqatës, ka shkaktuar ftohjen e raporteve dhe largimin e disa anëtarëve nga ky objekt, për shkak të arrogancës, mospërshëndetjes dhe injorimit që u bënë anëtarëve që kanë diçka për të thënë apo sugjeruar në dobi të Shoqatës.
Këta që po largohen janë pikërisht ata që kanë kontribuuar vazhdimisht, si fizikisht ashtu edhe financiarisht. Për shkak të këtyre ngjarjeve, kërkohet nga çdo anëtar që e paguan anëtarësinë tek kjo Shoqatë Kulturore në Aarburg të trokas para derës së saj dhe të kërkoj llogari për atë që po zhvillohet në këtë objekt, ku po shkon buxheti i saj pa transparencë dhe pa informimin e anëtarëve.
Objekti është ndërtuar me mundin dhe angazhimin e të gjithë anëtarëve dhe nuk duhet toleruar që imazhi i saj të prishet nga persona të papërgjegjshëm, jokompetentë dhe lakmitar për ambicie personale!

