Prokuroria e Milanos ka zbuluar një nga skandalet më të mëdha të përgjimeve kibernetike në Evropë, duke hedhur dritë mbi një rrjet të organizuar që dyshohet se kishte akses të paligjshëm në bazat kombëtare të të dhënave të Italisë, përfshirë sistemin policor SDI (Sistema di Indagine).
Sipas gazetës Politico, në qendër të hetimeve ndodhet kompania Equalize srl, e themeluar nga ish-karabinieri Carmine Gallo, e cila bashkëpunonte me agjencinë e komunikimit strategjik Mercury Advisors, e lidhur me biznesmenin Enrico Pazzali, ish-drejtues i qendrës së ekspozitave Fondazione Fiera Milano.
Hetimet tregojnë se Gallo dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Nunzio Samuele Calamucci ishin organizatorët e një “shërbimi privat informacioni”, që përmes lidhjeve në strukturat shtetërore siguronin kode hyrjeje në sisteme të mbyllura të sigurisë. Përmes këtyre hyrjeve, rrjeti dyshohet se ka shkarkuar qindra mijëra dosje me të dhëna ekonomike, tatimore dhe mjekësore të figurave publike, të cilat më pas shiteshin kompanive, lobistëve apo aktorëve politikë për qëllime ekonomike, shantazhi ose manipulimi politik.
Në komunikime të sekuestruara nga prokuroria, Calamucci është dëgjuar të thotë se posedonte “një hard disk me 800 mijë skedarë SDI”. Hetuesit kanë sekuestruar serverë me të dhëna të ndjeshme nga zyrat e Equalize, ndërsa mes klientëve të dyshuar janë kompani marrëdhëniesh me publikun, këshilltarë financiarë dhe figura politike që kërkonin informacion të synuar për rivalë ose partnerë.
Skandali ka prekur edhe qarqe të larta të ekonomisë italiane. Emri i Enrico Pazzali përmendet për lidhje profesionale me përfaqësues të Equalize nëpërmjet Mercury Advisors, ndonëse ai mohon çdo përfshirje. Prokurorët po verifikojnë nëse kompania e tij është përdorur si mbulesë operative për aktivitetet e rrjetit.
Të arrestuarit akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë:
-krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale,
-hyrje të paligjshme në sisteme kompjuterike shtetërore,
-rrjedhje të dhënash të klasifikuara,
-tregtim informacioni dhe shantazh.
Prokuroria e Milanos ka kërkuar ndihmën e shërbimit italian të inteligjencës (AISI) për të zbuluar nëse të dhënat janë shpërndarë edhe jashtë vendit. Ministria e Brendshme italiane ndërkohë ka nisur një auditim sigurie në të gjitha bazat kombëtare të të dhënave, pasi dyshohet se shkeljet kanë ndodhur për më shumë se tre vjet.
Autoritetet italiane e kanë cilësuar rastin si “kërcënim ndaj demokracisë dhe besimit në institucionet publike”, ndërsa hetimet po zgjerojnë fushën për të zbuluar nëse rrjeti ka pasur lidhje edhe me struktura të tjera në nivel europian.
/vizionplus.tv

