Teksa qëllimet e Presidentit Donald Trump në lidhje me skenarët për një sulm të mundshëm ndaj Iranit janë ende të paqarta, Komanda Qendrore e SHBA-së ( CENTCOM ) njoftoi se Forca e Nëntë Ajrore Luftarake, e njohur edhe si Air Forces Central (AFCENT), ka nisur stërvitjen ajrore disa ditore në Lindjen e Mesme.

Stërvitja, e cila do të zgjasë disa ditë, synon të demonstrojë aftësinë për të vendosur, shpërndarë dhe mbështetur avionët luftarakë amerikanë në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM (Lindja e Mesme, Azia Qendrore dhe Jugore).

Sipas një deklarate, stërvitja do të shërbejë si mjet për verifikimin e procedurave të lëvizjes së shpejtë të personelit dhe avionëve, të operacioneve në vende emergjente, të mbështetjes logjistike, si dhe të integrimit të komandës dhe kontrollit shumëkombësh në një zonë të gjerë operacionesh.

AFCENT shpjegon se gjatë stërvitjes, forcat amerikane do të vendosin ekipe në vende të ndryshme emergjente dhe do të vërtetojnë procedurat e shpejta të vendosjes, lëshimit dhe rikuperimit, me paketa të vogla dhe efektive mbështetëse.

Të të gjitha aktivitetet do të kryhen me miratimin e autoriteteve kombëtare dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e aviacionit civil dhe ushtarak, me theks të veçantë në sigurinë, saktësinë dhe respektin për sovranitetin kombëtar.

Kjo stërvitje zhvillohet një ditë pasi CENTCOM njoftoi mbërritjen e aeroplanmbajtëses USS Abraham Lincoln dhe anijeve luftarake shoqëruese në Lindjen e Mesme.

Forcimi i pranisë ushtarake amerikane në këtë rajon dhe deklaratat e bëra nga Donald Trump në favor të atyre që protestojnë kundër regjimit, janë interpretuar si përgatitje për një sulm ndaj Republikës Islamike të Iranit.

Megjithatë, dje, presidenti amerikan tha se Teherani është “gati për dialog”.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. E di këtë. E kanë kërkuar shumë herë, duan të flasin”, tha Trump për Axios, pa dhënë detaje rreth opsioneve që po “shqyrton ” ose pa thënë se cilën do të preferonte.

Sipas New York Times, agjencitë e inteligjencës amerikane e kanë siguruar vazhdimisht Trumpin se regjimi iranian po “dobësohet “, se është në gjendjen më të keqe që nga rënia e Shahut në vitin 1979. Senatori Lindsey Graham i tha NYT se ka folur vazhdimisht ditët e fundit me Trumpin: “Qëllimi është fundi i regjimit”.

Nga ana iraniane, ku diplomacia ka lënë të kuptohet se një kanal komunikimi është i hapur me SHBA-në, toni është zbutur ditët e fundit.

Por sot, zëdhënësi i Gardës Revolucionare paralajmëroi se “nëse aeroplanmbajtësja bën një gabim dhe hyn në ujërat territoriale iraniane, ajo do të jetë në shënjestër”.

një gazetë vendase sjkroi se Irani është gati për një “përgjigje të fortë” dhe se mund të marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë detare jetësore për transportin e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në të gjithë botën.

Share.
Exit mobile version