Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë janë ringjallur sërish me një draft propozim të Shteteve të Bashuara të bërë publik nga mediat.

Dokumenti amerikan kërkon që Kievi të heqë dorë nga një pjesë e territorit të tij, të reduktojë madhësinë e forcave të armatosura dhe të ndalojë marrjen e ndihmave ushtarake nga Uashingtoni të cilat kanë qenë thelbësore për luftën e Ukrainës kundër forcave ruse.

Gjithashtu, asnjë forcë e huaj nuk do të lejohet në tokën ukrainase dhe Kievi nuk do të marrë më armë me rreze të gjatë veprimi. Në këmbim, thuhet se Ukraina do të marrë garanci sigurie nga SHBA-të.

Propozimet e draftit, që u përshkruan në detaje nga The Fnancial Times dhe Reuters, përputhen kryesisht me kërkesat që Rusia ka bërë që nga fillimi i këtij viti, kur presidenti amerikan, Donald Trump, nisi përpjekjet për negociata të drejtpërdrejta me Vladimir Putin.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë asnjë reagim mbi çështjen ndërsa sekretari amerikan i Shtetit Rubio tha në X se SHBA do të vazhdojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës.

“Përfundimi i një lufte komplekse dhe vdekjeprurëse si ajo në Ukrainë kërkon një shkëmbim të gjerë idesh serioze dhe realiste. Dhe arritja e një paqeje të qëndrueshme do të kërkojë që të dyja palët të bien dakord për lëshime të vështira, por të nevojshme”, tha Marco Rubio.

Plani amerikan nuk u prit mirë nga Bashkimi Europian. Kryediplomatja Kaja Kallas tha se çdo nismë për t’i dhënë fund luftës, që të funksionojë, do duhet të ketë nevojë për ukrainasit dhe evropianët në krah.  Ndërkohë, deri tani nuk asnjë reagim nga presidenti Zelensky, qeveria e të cilit po përballet edhe me një skandal të madh korrupsioni./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version