Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përsëriti se aleanca pret përgjegjësi nga autoritetet në Beograd për ngjarjet në Kosovë, përfshirë sulmin në Banjskë dhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në pranverën e vitit 2023.
“Kam një marrëdhënie personale me presidentin e Serbis Aleksandar Vuçiq. Njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, natyrisht, presim nga ai që të përcaktojë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë, dhe kjo për dy çështje. Për të dyja ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë”,
Këto deklarata Rutte i bëri gjatë adresimit në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian , ku po ashtu konfirmoi mbështetjen për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ndërkohë shefi I aleancës veriatlantike theksoi edhe faktin se Evropa nuk mund te mbrohet pa SHBA-të.
“Dhe nëse dikush mendon këtu, përsëri, se Bashkimi Evropian, ose Evropa në tërësi, mund të mbrohet pa SHBA-në, le të vazhdojë të ëndërrojë. Ju nuk mundeni. Ne nuk mundemi. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin. Dhe pse kemi nevojë për njëri-tjetrin? Po ju them, para së gjithash, sepse edhe SHBA-të kanë nevojë për NATO-n. “
Ai paralajmëroi se nëse Europa do të synojë krijmin e një ushtrie të saj për të siguruar mbrojtje, do të përballej me shpenzime të larta dhe investime në armë bërthamore.
Rutte prezantoi dy drejtime veprimi kur është fjala për sigurinë e Grenlandës dhe Arktikut: përpjekjet kolektive të NATO-s për forcimin e mbrojtjes ushtarake dhe ekonomike kundër ndikimit rus dhe kinez në Arktik si dhe bisedimet midis Danimarkës, Groenlandës dhe Shteteve të Bashkuara.
/vizionplus.tv

