Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se Ukraina po përballet me “dimrin më të ashpër” të dhjetë viteve të fundit, për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës kritike, veçanërisht në Kiev dhe qytete të tjera të mëdha.

Duke folur në Parlamentin Europian, Rutte theksoi se janë në zhvillim bisedime paqeje nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, duke vlerësuar iniciativën amerikane, si edhe rolin e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Europë, që po punon për garanci sigurie.

Ai nënvizoi se objektivi duhet të jetë ose një marrëveshje paqeje, ose një armëpushim afatgjatë, i cili do të sigurojë se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të sulmojë sërish Ukrainën.

Ai përsëriti se siguria e Ukrainës është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë e gjithë Europës.

Në vijim, Rutte foli për Groenlandën, duke bërë të ditur se ka zhvilluar biseda të shpeshta telefonike me liderë europianë.

Sipas tij, janë përcaktuar dy drejtime kryesore; forcimi i pranisë dhe aktiviteteve të NATO-s në Arktik përballë kërcënimeve nga Rusia dhe Kina, si dhe menaxhimi i marrëdhënieve mes Danimarkës, Groenlandës dhe SHBA-së, pas takimeve të fundit me zyrtarë amerikanë.

Ai sqaroi se nuk ka mandat për të negociuar në emër të Danimarkës, por mbrojti presidentin amerikan, duke thënë se ka të drejtë kur ngre shqetësime për sigurinë në Arktik.

Sa i përket Ukrainës, Rutte tha se Ukraina dëshiron të anëtarësohet në NATO, por kundërshtimet e disa vendeve anëtare e bëjnë këtë hap politikisht të parealizueshëm për momentin.

Duke komentuar idenë e një alternative europiane ndaj NATO-s pa SHBA-në, ai paralajmëroi se një skenar i tillë do të ishte jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe do t’i shërbente interesave të Moskës.

“Evropa ka nevojë për SHBA-në, ashtu si SHBA ka nevojë për NATO-n”, theksoi ai, duke siguruar se prania ushtarake amerikane në Europë do të mbetet e fortë, pavarësisht ndryshimeve në prioritetet e Uashingtonit./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version