minibus hire Leeds cheap diesel near me uk web hosting online local minibus hire Mot History Check struga Lajm MOT check cloud hosting mortgage calculator
Qeveria sllovene dërgon në Parlament propozimin për njohjen e shtetit palestinez - Shqiperia.info

Qeveria e Sllovenisë e ka mbështetur të enjten një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe i ka kërkuar Parlamentit ta bëjë të njëjtën gjë.

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se Qeveria e tij ia ka dërguar Parlamentit propozimin për njohjen e shtetit palestinez.

Parlamenti slloven mund të mblidhet javën e ardhshme dhe ta hedhë në votim propozimin e Qeverisë.

Nevojitet pajtimi i Parlamentit që vendimi i Qeverisë të jetë i efektshëm. Partia liberale në pushtet e Golobit e ka shumicën në Parlamentin me 90 ulëse dhe votimi rreth njohjes së shtetit palestinez pritet të jetë formalitet.

Vendimi i Qeverisë sllovene vjen vetëm dy ditë pasi Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohën shtetin palestinez. Qëndrimet e tyre u dënuan ashpër nga Izraeli.

Sllovenia do të bëhej vendi i 10-të i Bashkimit Evropian që e njeh zyrtarisht shtetin palestinez. Norvegjia nuk është pjesë e bllokut 27-anëtarësh, por ajo zakonisht i përshtat politikat e jashtme me ato të bllokut.

Sllovenia e nisi procesin e njohjes së shtetit palestinez në fillim të majit, por tha se do të priste derisa të përmirësohej gjendja në luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

Golob tha këtë javë se po e përshpejton procesin pas sulmeve të fundit të Izraelit në Rafah, si pasojë e të cilave më shumë se 1 milion palestinezë kanë ikur atje.

Më shumë se 140 shtete e njohin shtetin palestinez – më shumë se dy e treta e Kombeve të Bashkuara.

Vendimi për njohjen e shtetit palestinez ka nxitur fërkime në marrëdhëniet e BE-së me Izraelin. Spanja dhe Irlanda po bëjnë trysni që BE-ja të ndërmarrë masa kundër Izraelit, për shkak të sulmeve të tij të vazhdueshme në jug të Gazës.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së./rel

Share.
Exit mobile version