
Pesë persona u vranë në sulmet ruse në Odesa, ndërsa presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis po vizitonin portin, njoftuan autoritetet ukrainase.
“Konfirmojmë sulmin në infrastrukturën portuale të qytetit të Odessa. Konfirmojmë vdekjen e pesë personave. Ka edhe të plagosur”, tha zëdhënësi i marinës ukrainase Dmytro Pletenchuk për France Press.
Mitsotakis tha se në fund të vizitës, ata dëgjuan zhurmën e sirenave të sulmit ajror dhe shpërthimeve aty pranë dhe shtoi se nuk kishin kohë të mbroheshin, duke e quajtur atë një “përvojë mbresëlënëse”.
Zelenski tha se njerëzve në ushtrinë ruse nuk u intereson nëse objektivat janë ushtarakë apo civilë, apo nëse ka mysafirë nga jashtë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë mori përgjegjësinë për sulmin me raketa në portin e Odessas, duke thënë se forcat ruse goditën “një hangar ku forcat e armatosura ukrainase përgatisin drone detare për luftim.
Disa rajone të Ukrainës u vunë në shënjestër nga sulmet ruse me dron një natë më parë.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë tha se sulmet e sotme ruse në Odessa tregojnë një “nevojë urgjente” për të dërguar ndihmë ushtarake në Ukrainë, veçanërisht sistemet e mbrojtjes ajrore.
Qeveria amerikane deklaron se është shumë herët të thuhet nëse Zelensky ishte objektivi i sulmeve të sotme, raporton France Press. /vizionplus.tv