Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka akuzuar kryebashkiakun e Londrës Sadiq Khan, për “rritje të krimit” duke pretenduar se kryeqyteti britanik është bërë aq i rrezikshëm sa “njerëzit po marrin thikë pas shpine ose më keq” .
Trump ringjalli armiqësinë e tij personale me Sadiq Khan, duke i thënë GB News se kryebashkiaku i Londrës është një “kryebashkiak shumë i keq” dhe “një katastrofë totale”, pavarësisht faktit se ai është në mandatin e tij të tretë dhe ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit për një të katërt.
Gjatë intervistës, gazetarja Bev Turner tha se “Londra ka një problem të madh me krimin”, pa përmendur shifra specifike, ndërsa Trump reagoi agresivisht kundër Khan.
Presidenti amerikan vazhdoi duke thënë: “Shikoni krimin që keni në Londër. Nëna ime e donte Londrën, ajo e donte qytetin. Ajo gjithmonë thoshte se kjo ishte një Londër ndryshe nga ajo që është sot. Sot njerëzit po marrin thikë pas shpine ose edhe më keq.”
Pavarësisht këtyre deklaratave, Trump nuk paraqiti shembuj specifikë për të mbështetur pretendimin e tij për një rritje të sulmeve me thikë.
Të dhënat e fundit tregojnë se vrasjet në kryeqytetin britanik kanë rënë. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar, Policia Metropolitane regjistroi 101 vrasje në periudhën korrik 2023-qershor 2024, krahasuar me 107 një vit më parë.
Grindja midis Trump dhe Khan daton të paktën që nga viti 2015, kur kandidati i atëhershëm presidencial propozoi ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, dhe Khan reagoi ashpër. Konfrontimi u përshkallëzua pasi Trump kritikoi mënyrën se si e trajtoi sulmin terrorist në Urën e Londrës, ndërsa në vitin 2018 qyteti i Londrës lejoi instalimin e një strukture përshkruante presidentin amerikan si foshnjë gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar.

