Rreth 6 mijë protestues nga gjitha trojet shqiptare priten të marrin pjesë sot në protestën e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Strasburg, përballë Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Ky marshim   do të mbahet në shenjë mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndërsa do të kërkohet lirimi I tyre.

Tubimi  pritet të nis në orën 13:00 , ndërsa  vjen pas atyre të zhvilluara më herët, në Tiranë, Hagë e Prishtinë.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka shprehur mbështetjen e tij për protestën që mbahet sot në Strasburg.

“Kjo gjykatë nuk po gjykon mbi atë për të cilën u themelua, por po gjykon mbi shpifjet e Serbisë të sajuara nga Rusia. Hashimi, Kadriu, Rexhepi, Jakupi dhe të tjerët janë aleatë të ShBA-ve  dhe  Europës  dhe vendin e kanë në Kosovë”, tha Ali Ahmeti. 

Ai theksoi se pafajësia e tyre u konfirmua nga miqtë amerikan e evropian në Hagë, prandaj kërkoi lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Padrejtësia duhet të merr fund menjëherë, i gjithë populli shqiptar është në këmbë për drejtësi për shenjtërinë e luftës sonë çlirimtare”, shtoi Ahmeti. 

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, figura qendrore të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen prej 5 vitesh në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa procesi ndaj tyre nisi në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli drejtoi shërbimin e inteligjencës, Krasniqi ishte zëdhënës. ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version