
Ambasada e Ukrainës në Meksikë kërkoi nga qeveria meksikane ndalimin e presidentit rus Vladimir Putin, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nëse ai shkon për të marrë pjesë në betimin e presidentes së zgjedhur të vendit.
“Ne kemi besim se qeveria meksikane do të respektojë urdhërarrestin ndërkombëtar” kundër zotit Putin dhe “do t’ia dorëzojë atë organit gjyqësor të Kombeve të Bashkuara në Hagë”, ICC, në rast se ai shkon për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit”, thuhej në deklaratë.
Claudia Sheinbaum, gruaja e parë që mban postin e lartë të Meksikës, është planifikuar të betohet më 1 tetor.
GJPN-ja lëshoi një urdhër arresti kundër Putinit në mars 2023, duke e akuzuar atë për krime lufte, veçanërisht për deportimin e fëmijëve nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Rusi.
Meksika është nënshkruese e Statutit të Romës, konventës ndërkombëtare që themeloi GJPN-në, sipas së cilës “është detyrë e çdo shteti t’i nënshtrohet juridiksionit” të gjykatës ndërkombëtare “për personat përgjegjës për krimet ndërkombëtare”.
Ambasada e Ukrainës në kryeqytetin meksikan e quajti presidentin rus një “kriminel lufte” i cili duhet të mbajë përgjegjësi për pushtimin ushtarak të Ukrainës në shkurt 2022.
Sekretari i ardhshëm i Shtetit i administratës së Presidentes Sheinbaum, Juan Ramon, vuri në dukje dje se ftesa për zotin Putin ishte dërguar si pjesë e “protokollit të tij të praktikës (diplomatike)”.
Claudia Sheinbaum, e zgjedhur presidente më 2 qershor, do të marrë detyrën në tetor për një mandat gjashtëvjeçar./vizionplus.tv