Bashkimi Evropian po përgatitet të vendosë sanksionet e para ndaj anëtarëve të lartë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), si përgjigje ndaj shtypjes vdekjeprurëse të protestave të fundit në Iran.

Sanksionet do të përfshijnë ndalime vizash dhe ngrirje asetesh për 21 individë dhe subjekte.

Vendimi pritet të finalizohet të enjten, gjatë takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, sipas burimeve diplomatike të cituara nga agjencia AFP.

Këto sanksione janë pjesë e reagimit të BE-së ndaj dhunës së ushtruar ndaj protestuesve dhe vijnë në një kohë kur po rritet presioni ndaj bllokut evropian për ta shpallur Gardën Revolucionare një “organizatë terroriste”.

Italia është ndër vendet që e mbështesin këtë propozim.

Reagimi i Teheranit

Qeveria iraniane ka hedhur poshtë sanksionet dhe kritikat ndërkombëtare, duke deklaruar se Garda Revolucionare luan një rol kyç në garantimin e sigurisë së Iranit dhe të rajonit.

Teherani i ka cilësuar sanksionet dhe përpjekjet për ta futur Gardën në listën e organizatave terroriste si shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Reagimi iranian erdhi pasi Italia njoftoi synimin për ta shpallur Gardën Revolucionare organizatë terroriste.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se viktimat civile gjatë protestave kërkojnë një përgjigje të qartë, duke shtuar se Roma, në koordinim me partnerët e BE-së, do të propozojë përfshirjen e Gardës në listën e organizatave terroriste, si dhe vendosjen e sanksioneve individuale ndaj personave përgjegjës për dhunën.

Në përgjigje, Teherani thirri ambasadorin italian për konsultime, duke dënuar “deklaratat e papërgjegjshme” të ministrit Tajani dhe duke i kërkuar Italisë të rishqyrtojë qëndrimin e saj. Sipas mediave iraniane, ky veprim mund të ketë “pasoja negative për marrëdhëniet dypalëshe”.

Share.
Exit mobile version