Policia e Londrës ka arrestuar autorin e dyshuar të vrasjes së gruas dhe dy vajzave të komentatorit të BBC-së.

Arrestimi i tij u bë në një varrezë.

Siç raporton Sky News, 26-vjeçari Kyle Clifford është në duart e autoriteteve, por ka nevojë për kujdes mjekësor. Sulmuesi ndodhej në varrezat Lavender Hill, Enfield, të cilat ndodhen jo shumë larg rezidencës së tij. Pas arrestimit, ai u dërgua në spital.

Sipas policisë, ai ka mbetur i plagosur gjatë operacionit për arrestimin e tij.

Kërkimet për 26-vjeçarin zgjatën disa orë, ndërsa autoritetet  kishin paralajmëruar banorët që të mos i afroheshin. Ka shumë gjasa që policia të ketë shkuar në vendin ku autori fshihej pas telefonatave nga qytetarët.

Autoritetet morën vendimin e pazakontë për të publikuar emrin dhe fotografinë e të dyshuarit në një fazë shumë të hershme të hetimit për shkak se “kishte nevojë për ndihmë e publikut për gjurmimin dhe arrestimin e tij”.

26-vjeçari dyshohet se ka vrarë Carol Hunt, gruan e komentatorit sportiv John Hunt, dhe dy vajzat e tyre, Louise dhe Hannah.

Ai kishte një lidhje me Louise në të kaluarën.

26-vjeçari vrau tre gratë, të moshës 61, 28 dhe 25 vjeç, pak pas orës 19:00 të së martës (9/7) në një zonë pranë Londrës. Sulmuesi përdori një hark dhe ndoshta armë të tjera, sipas autoriteteve./vizionplus.tv

Share.
Exit mobile version