Një tragjedi ndodhi mbrëmjen e djeshme në Irlandë, ku pesë të rinj humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën në një aksident rrugor në qarkun Louth.
Sipas policisë, përplasja ndodhi kur një makinë me gjashtë persona u godit nga një SUV. Pesë viktimat, tre meshkuj dhe dy femra të moshës 21 dhe 23 vjeç, po udhëtonin drejt Dundalk-ut në momentin e ndeshjes.
Kryeministri irlandez Micheal Martin u shpreh “i mpakur dhe i tronditur”, duke shprehur ngushëllimet për familjet dhe miqtë e viktimave e të plagosurve. Në kisha anembanë Irlandës u mbajtën lutje për ta.
Policia bëri thirrje për çdo dëshmitar të aksidentit ose për këdo që ka pamje nga kamerat e makinave në zonë mes orës 20:30 dhe 21:15 të së shtunës, të kontaktojë autoritetet.
Duke folur pranë vendit të përplasjes, inspektori Liam Geraghty theksoi se e diela ishte Dita Botërore e Përkujtimit të Viktimave të Aksidenteve Rrugore.
“Ajo që ndodhi këtu mbrëmë na rikujton në mënyrën më të dhimbshme se sa shpejt mund të ndryshojë gjithçka në rrugët tona dhe tragjedinë që lë pas në familje, komunitete dhe të dashur”, tha ai.
Ai shtoi se që nga fillimi i vitit e deri më sot, 157 persona kanë humbur jetën në rrugët e Irlandës – një shifër paksa më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

