
Nga Enkelejda Mema
Marrëveshja e Italisë me emigrantët, është një marrëveshje zemre, pa kërkuar asnjë euro në këmbim për të ndihmuar aleatin dhe mikun e madh të Shqipërisë, Italinë, tha kryeministri Edi Rama në konferencë për median krah kryeministres italiane Giorgia Meloni.Teksa inspektoi qendrën e emigrantëve në Shëngjin dhe punimet e kampit në Gjadër, shefja e qeverise italiane tha se qendra do të hapët zyrtarisht në 1 gusht.
“Struktura e Gjadrit do të ketë edhe një funksion tjetër aty ku ndalen emigrantët, do ketë një zonë ku do mbahen të burgosurit nëse do ketë emigrantë që do të kryejnë vepra penale, dhe siguria do garantohet nga Italia dhe të dy qendrat do jenë operative në 1 gusht 2024. Ka patur nga ata që kanë dyshime për kohën e realizmit të këtyre qendrave se na kanë akuzuar sikur po e bënim një qendër si në Guantanamo, por ne duam ti bëjmë gjërat siç duhet. Qendrat do të presin si fillim 1 mijë dhe maksimumi deri në 3 mijë”, tha Meloni.
“Jam krenar për Shqipërinë që i duhet t’i shërbej Italisë. Nëse ne kemi mundësinë për të qenë të dobishëm, një herë, dy, tre, ta shfrytëzojmë këtë mundësi për ta ndihmuar. Në një çast jo vetëm të vështirë për Italinë, por për të gjithë Europën, ne jemi krenarë që po japim ndihmën tonë. Është marrëveshje zemre në raport me një miqësi strategjike”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Por i pyetur nga gazetarja e Vizion Plus Enkelejda Mema se çdo të ndodhe me ata emigrant të cilëve, u refuzohet kërkesa e azilit, Rama tha:
“Kjo është një marrëveshje dua ta theksoj, e cila jo vetëm nuk ka ndeshur në refuzim apo kontestim të BE, ose të ndonjë vendi të BE, po përkundrazi është konsideruar si një përpjekje për tu ndjekur në vijim dhe si një proces për tu vlerësuar hap pas hapi. Kur një emigrant shkel në Lampedusa shkel në BE jo vetëm në Itali. Dhe e fundit, ne i morëm afganët menjëherë, kur vendet e NATO-s që janë të pasura, dhe kur i morëm ishim të vetëdijshëm që jo të gjithë do e kalonin aplikimin, dhe do ishin të pranueshme për SHBA, ky ishte një risk që e morëm përsipër se SHBA mund t’i harrojë premtimet dhe ne nuk i kërkojmë dot llogari, kjo nuk është kritike por konstatim. Kemi rreth 350 që nuk pranohen atje, keni dëgjuar ju që do vëmë kujën ne, jo i mbajmë në hotel dhe i paguajmë ne, siç na kanë mbajt ne të tërët” .
Ndërkohë si Rama ashtu edhe Meloni kishin një përgjigje për investigimin e mediave italiane për këtë marrëveshje.
“Më kujtohet kur në ditët më dramatike të emergjencës Covid qeveria shqiptare ndihmoi me 30 mjekë dhe infermierë në Lombardi. Kryeministri Rama u falënderua për këtë dhe një gazetë italiane e quajti “përrallë e bukur e qeverisë shqiptare dhe e kryeministrit”, ndërsa sot Rama quhet “Spregiudicato” sepse shumë ka ndryshuar që kur qeveria vendosi të vijojë bashkëpunimin me qeverinë e re italiane, sikundër kishte bërë dhe me 5 qeveritë e tjera. Do doja t’i thoja kryeministrit Rama se në fakt nuk është ai shënjestra, italianët e kuptojnë, i janë mirënjohës qeverisë, i janë mirënjohës popullit shqiptar për këtë përpjekje të rëndësishme që përbën një shenjë të miqësisë mes dy popujve tanë për të na dhënë një ndihmesë”, u shpreh Meloni.
“Nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur një trishtim për vetëm gjysmë të vërtetat e thëna në mediat italiane, përfshirë këtu shërbimin publik italian, mbi Shqipërinë, me qëllimin fare të qartë për të hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Duhet të kenë turp të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve të shqipërisë dhe të vetë publikut italian”, deklaroi Rama.
Por mbyllja e vizitës së Melonit përfundoi me një moment tensioni. Deputeti i opozitës italiane nga partia “Piu Europa”, Ricardo Magi i doli para makinës së kryeministres teksa mbante në duar një pankartë që linte të kuptohej se gjithçka është për fushatë elektorale. Meloni zbriti nga makina në tentativë për ta qetësuar, por deputeti italian nuk u ndal.
“Bëtë fushatë , nuk ju përgjigjet asnjë pyetje se çfarë do bëhet, kjo i thotë gjjitha. Badigardët tuaj s’po më lejojnë e po më dhunojnë. Kur i ndodh kjo një deputeti në sy të kamerave imagjinoni se çfarë do tu ndodhë atyre të shkretëve që do të mbyllen këtu brenda. Turp të keni”, tha deputeti italian Ricardo Magi./vizionplus.tv









