
Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar ndaj propozimit për organizimin e provimit të jurisprudencës me pjesën teorike në gjuhën shqipe dhe pjesën praktike në gjuhën maqedonase, duke e krahasuar këtë model me zgjidhjet e viteve të para të pluralizmit në vend.
Në një status publik, Osmani rikujton vitin 1993, kur pas përpjekjeve dhe përplasjeve të shumta u hapën dy klasat e para në gjuhën shqipe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Shkup, ku ai vetë ishte pjesë e asaj gjenerate.
“Sot, kur dëgjova “zgjidhjen” për provimin e jurisprudencës – teoria në shqip, praktika në maqedonisht m’u kujtua menjëherë viti 1993.
Atë vit, pas shumë përplasjesh, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Shkup u hapën dy klasat e para në gjuhën shqipe. Isha pjesë e asaj gjenerate.
Edhe atëherë na ofrohej një zgjidhje e ngjashme: një pjesë në shqip, një pjesë në maqedonisht. Ishte koha kur dikush e konsideronte veten pronar të të drejtave tona dhe na i jepte ato me lugë të vogël, sipas masës që e gjykonte të përshtatshme.
Prandaj më duket e pabesueshme që, 33 vjet më vonë dhe 25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, e njëjta logjikë po paraqitet si sukses.
Ironia bëhet edhe më e madhe nga fakti se zëvendëskryeministri Bekim Sali ishte pjesë e po atyre dy klasave bashkë me mua.
Ai e ka jetuar atë kohë. E di shumë mirë se çfarë simbolizonte ai model dhe pse u deshën vite të tëra për ta tejkaluar.
Pikërisht për këtë arsye, do të duhej të ishte i pari që ta kuptonte se zgjidhjet e vitit 1993 nuk mund të shiten si arritje në vitin 2026″, shkruan Osmani në profilin e tij në Facebook.





